Nazlı Yüzbaşıoğlu
17 Gusht 2017•Përditësim: 17 Gusht 2017
ANKARA (AA) - Nazlı Yüzbaşıoğlu
Kryeministri i Estonisë dhe kryesuesi i radhës së Bashkimit Evropian, Juri Ratas, është shprehur se "Estonia ka mbështetur gjithmonë dhe vazhdon të mbështesë anëtarësimin e Turqisë në BE", raporton Anadolu Agency (AA).
Ratas ka folur për gazetarin e AA-së për detajet e vizitës së tij në Turqi, ku ai qëndroi për vizitë zyrtare, marrëdhëniet dypalëshe, axhendën në lidhje me rendin e BE-së të vendit të tij, i cili mori kryesinë e BE-së më 1 korrik dhe për marrëdhëniet Turqi-BE.
Pasi ka shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira në shumë fusha mes Turqisë dhe Estonisë, Ratas, ka tërhequr vëmendjen se dy vendet janë aleatë të NATO-s.
Duke vënë në dukje bashkëpunimin mes qeverisjes vendore, Ratas ka rikujtuar se qyteti Gaziantep i Turqisë dhe qyteti Tartu i Estonisë janë qytete binjake dhe është shprehur se "Shpresoj se do të rritet edhe më tej bashkëpunimi ynë në fushën e biznesit dhe ekonomisë. Mendoj se ka një potencial të mirë. Në Estoni mund ti vërejmë investimet tuaja. Mes Estonisë dhe Turqisë ka fluturime të drejtpërdrejta të Turkish Airlines. Këto janë shenja shumë të mira."
Pasi ka rikujtuar se nëpërmjet programit Erasmus në vendin e tij ndodhen për tu arsimuar shumë studentë turq, dhe duke vënë në dukje më tej se Estonia si kryesuese e radhës e BE-së e ka nisur këtë rrugë me sloganin "Unitet për balancim", ai ka theksuar se marrëdhëniet Turqi-BE janë strategjike.
Mund të gjejmë balancën dhe zgjidhjen
Në vlerësimin e tij për marrëdhëniet Turqi-BE kryeministri Ratas është shprehur: "Estonia ka mbështetur gjithmonë dhe vazhdon të mbështesë anëtarësimin e Turqisë në BE. Jam në dijeni se ka disa çështje të vështira mes Turqi-BE. Në takimin tim me kryeministrin Yıldırım i kam shprehur se mund të hedhim më shumë hapa përgjatë presidencës së radhës të Estonisë, por për një bashkëpunim më të ngushtë me BE-në duhet të shikojmë edhe përpjekjet tuaja. Zgjidhjen duhet ta gjejmë së bashku."
Ndër të tjera Ratas ka vënë theksin se ka besimin që Turqia dhe BE-ja do të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe të mira dhe ka shtuar më tej se "Që të dy palët kanë nevojë për këtë. Nëse ulemi së bashku në tryezën e NATO-s, nëse kemi qëndrim dhe qasje të përbashkët për një botë paqësore ne mund të gjejmë një balancë dhe zgjidhje mes Turqisë dhe BE-së. Sigurisht që ky bashkëpunim bazohet mbi principet dhe vlerat e përbashkëta si mbizotërimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Nëse pyesni që 'a vëreni ndonjë trend pozitiv', do të thoja po, unë më shumë vërej anët pozitive se sa zhvillimet negative."
Në lidhje me premtimin e BE-së për mbështetjen me 3 miliardë euro për sirianët në Turqi, Ratas, tha se premtimi i dhënë është i vlefshëm, transferohet përmes projekteve sipas kritereve dhe se pagesa nuk është bërë përnjëherë të vetme jo për arsye politike, por për arsye teknike.
Gjatë vizitës së tij në Turqi, Ratas, ka gjetur mundësinë të vizitojë edhe kampin ku qëndrojnë refugjatët sirianë në rajonin Nizip në qytetin Gaziantep, ku për këtë ai është shprehur se "Çështja e refugjatëve është në axhendën tonë. Kjo është një pre çështjeve më të rëndësishme dhe parësore gjatë periudhës së presidencës së Estonisë në BE."
Pasi ka bërë të ditur se gjatë vizitës në kampin refugjatëve ka patur mundësinë e takimit me refugjatët, Ratas, ka shtuar se "I kam shprehur kryetares së Bashkisë së qytetit Gaziantep (Fatma Şahin) se janë shumë mbresëlënëse këto përpjekje, investime të Turqisë. Atje e kam vërejtur atmosferën miqësore dhe të ngrohtë. Ka hapa të fortë dhe konkretë që kanë hedhur edhe institucionet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. Për mendimin tim jemi partnerë të mirë. Mendoj se dakordimi mes Turqisë dhe BE-së është i rëndësishëm."
Ratas ka theksuar se në kuadër të axhendës së BE-së vendi i tij do të përqendrohet në teknologjitë dixhitale, shërbimet elektronike, qarkullimi i lirë dhe i sigurtë i të dhënave, ku dhe ka tërhequr vëmendjen se shumë i rëndësishëm është edhe përdorimi i medias në luftën kundër terrorizmit. Ndër të tjera kryeministri Ratas ka shtuar se vendi i tij përgjatë presidencës së radhës së BE-së krahas politikave të fqinjësisë dhe zgjerimit ka çështje parësore edhe ndryshimet klimatike.