Ekspertët: Koston e shkatërrimit në Gaza duhet ta mbulojë Izraeli
Ekspertët kanë deklaruar se kostot e rindërtimit në Gaza duhet të mbulohen kryesisht nga Izraeli dhe se përgjegjësi financiare si palë bashkëpunëtore mbajnë gjithashtu edhe shtetet që mbështesin Izraelin

Hagë
SELMAN AKSÜNGER
Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare kanë deklaruar se kostot e rindërtimit në Gaza, të vlerësuara në afërsisht 53 miliardë dollarë, duhet të mbulohen kryesisht nga Izraeli dhe se përgjegjësi financiare si palë bashkëpunëtore mbajnë gjithashtu edhe shtetet që mbështesin Izraelin, si SHBA-ja dhe Gjermania, raporton Anadolu.
John Quigley, Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Krahasuese në Universitetin Shtetëror të Ohajos dhe Munir Nuseibah, një akademik dhe avokat i të drejtave të njeriut në Universitetin Al-Quds, folën për Agjencinë Anadolu në lidhje me detyrimet e Izraelit për dëmshpërblime sipas së drejtës ndërkombëtare dhe mekanizmave të procesit të rindërtimit.
- Izraeli është përgjegjës në shkallë të parë
Profesori Quigley deklaroi se Izraeli është përgjegjës në shkallë të parë dhe tha se "Shtetet bashkëpunëtore në shkeljet e Izraelit do të jenë gjithashtu përgjegjëse. Kjo përfshin së pari, SHBA-në, së dyti, Gjermaninë dhe ndoshta disa vende të tjera".
Duke theksuar se Izraeli është ligjërisht përgjegjës në dy mënyra, Quigley u shpreh: "Si fuqi pushtuese, Izraeli ka një detyrim për të mbrojtur jetën e popullit të Gazës dhe ai e ka shkelur këtë detyrim shumë seriozisht këtu. Këto shkelje kanë pasoja, siç është detyrimi për të paguar dëmshpërblim".
Përgjegjësia ndërkombëtare e Izraelit kërkon dëmshpërblim, tha Quigley duke komentuar se "Mund të shohim një vendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që kërkon dëmshpërblim kundër Izraelit. Pyetja tjetër do të jetë se si do të zbatohet ky vendim".
Quigley vuri në dukje se çështja mund të shkojë potencialisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).
"Sipas Kartës së OKB-së, Afrika e Jugut mund të përdorë këtë procedurë kundër Izraelit në Këshillin e Sigurimit. Kjo padyshim do të përballej me problemin e Këshillit të Sigurimit që vepron në bazë të fuqisë së vetos që mbajnë anëtarët e përhershëm. Mund të pritet që SHBA-ja të vë veton ndaj çdo rezolute kundër Izraelit në Këshillin e Sigurimit", shtoi ai.
Duke përmendur shembuj historikë, Quigley vuri në dukje se pagesa e dëmshpërblimeve të Gjermanisë në fund të Luftës së Parë Botërore mund të shërbejë si precedent. "Mendoj se presioni mund të ushtrohet mbi Izraelin përmes përpjekjeve të përbashkëta të shteteve të tjera, përmes OKB-së ose ndryshe", tha ai.
- Është e pamundur të kompensohet plotësisht dëmi
Quigley, theksoi ashpërsinë e dëmit të shkaktuar në Gaza. "Ka një numër të ngjashëm njerëzish që do të vuajnë dëme fizike dhe mendore për pjesën tjetër të jetës së tyre. Shumë prej tyre janë fëmijë. Dëmi i shkaktuar këtyre njerëzve është i tillë që nuk ka asnjë mënyrë realiste për ta kompensuar atë", tha ai.
"Jo vetëm ndërtesat, por edhe shkatërrimi i tokës me të gjitha këto copa betoni. Pastrimi. Gaza nuk do të jetë në gjendje të ushqehet vetë për një kohë të gjatë, ndërsa më parë ishte e vetëmjaftueshme me ushqim. Se si Gaza mund të kthehet në një gjendje vetëmjaftueshmërie me ushqim është shumë e vështirë në këto rrethana", tha Quigley.
Quigley rikujtoi bashkëpunimin e SHBA-së me Izraelin, duke thënë se "SHBA-ja kanë një përgjegjësi ligjore të ngjashme me atë të Izraelit, dhe SHBA-ja ka burimet financiare për të siguruar të paktën kompensim të pjesshëm".
- Nuseibah: Shteti ka tre lloje përgjegjësie
Nuseibah, një akademik dhe avokat i të drejtave të njeriut në Universitetin Al-Quds, deklaroi se sipas ligjit ndërkombëtar, kur një shtet nuk arrin të përmbushë detyrimet e tij ligjore ose shkel ligjin ndërkombëtar, ai është përgjegjës për riparimin e dëmit të shkaktuar nga kjo shkelje. "Së pari, çdo shtet ka përgjegjësinë të ndalojë aktet e paligjshme. Së dyti, çdo shtet që shkel ligjin ndërkombëtar ka përgjegjësinë të ofrojë garanci për mospërsëritje për të siguruar që këto shkelje të mos ndodhin më kurrë. Së treti, shteti duhet ta pranojë dëmin", komentoi ai.
Nuseibah shpjegoi se ekzistojnë tre lloje dëmshpërblimesh dhe vuri në dukje: "E para është rivendosja në gjendjen e mëparshme ose njëjta me dëmshpërblim, që do të thotë kthimi i situatës në gjendjen në të cilën ishte para se të ndodhte shkelja. Ky dëmshpërblim përfshin, për shembull, rindërtimin e një shtëpie, spitali, shkolle ose universiteti të shkatërruar. Ai përfshin lirimin nga burgu të individëve që janë ndaluar ose rrëmbyer në mënyrë të paligjshme. Për shembull, ai përfshin përfundimin e bllokadës, që do të thotë hapja e aksesit të pakufizuar për Gazën në pjesën tjetër të botës, kryerjen e tregtisë, dërgimin dhe marrjen e mallrave, si dhe eksportimin dhe importimin".
Duke vënë në dukje se lloji i dytë është kompensimi/dëmshpërblimi monetar në para, Nuseibah tha: "Është një lloj kompensimi në të cilin një shtet paguan para për gjëra që nuk mund të korrigjohen përmes dëmshpërblimit. Sigurisht, është e rëndësishme të theksohet se dëmshpërblimi monetar në para është më i rëndësishëm sesa kompensimi. E filloni me dëmshpërblim, por nëse kjo nuk është e mundur, atëherë duhet të jetë kompensimi në para ".
Nuseibah shpjegoi se, për shembull, nëse dikush vritet, ringjallja është e pamundur, por familja e tij mund të kompensohet. Dikush, ferma e të cilit shkatërrohet, kompensohet për rimbjelljen dhe të gjitha humbjet e pësuara gjatë shkatërrimit.
Ai shpjegoi se lloji i tretë i kompensimit është kënaqësia. "Për shembull, një pranim i keqbërjes dhe një kërkim faljeje për shkeljen e paligjshme. Në disa raste, mund të shkojë deri në ndërtimin e memorialeve për viktimat. Me fjalë të tjera, nuk ka të bëjë me aspektet materiale dhe financiare të shkeljes, por me ndikimin moral të shkeljes", shtoi Nuseibah.
- Izraeli dhe shtetet mbështetëse janë përgjegjës
Nuseibah, iu referua çështjes së gjenocidit të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe tha se "Ne presim që gjykata ta gjejë Izraelin përgjegjës për gjenocidin në fund të çështjes dhe gjykata do të urdhërojë kompensim për gjenocidin".
Pasi iu referua raporteve të ekspertëve të OKB-së, raportuesve specialë dhe Komisionit Hetimor të OKB-së, Nuseibah tha se "Nëse analizohen të gjitha këto informacione, duket se Izraeli është shteti i parë përgjegjës për ndalimin e veprimit, ofrimin e garancive për mospërsëritje dhe riparimin e dëmit përmes të gjitha formave të kompensimit, përfshirë rindërtimin e Gazës".
- SHBA-ja dhe Gjermania janë gjithashtu përgjegjëse
Nuseibah theksoi se Izraeli nuk është i vetmi përgjegjës, duke deklaruar se ndërsa Izraeli është përgjegjës për riparimin e të gjitha dëmeve në Gaza, ka edhe palë të tjera që kanë shkelur ligjin ndërkombëtar.
Nuseibah tërhoqi vëmendjen se SHBA-të i japin armë Izraelit dhe se Izraeli bombardon Palestinën me këto armë. "Edhe kjo lloj mbështetjeje krijon gjithashtu përgjegjësi. Nëse i jepni armë një shteti që kryen krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, atëherë jeni gjithashtu përgjegjës për kontributin tuaj", shtoi ai.
- OKB-ja ka mbajtur të dhënat e dëmshpërblimeve të Izraelit që nga viti 1948
Duke iu referuar mekanizmave ligjorë për kërkimin e dëmshpërblimeve, Nuseibah vuri në dukje se padia për gjenocid e ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit është një mekanizëm përmes të cilit mund të kërkohen dëmshpërblimet dhe se është thelbësore që dëmshpërblimet të mund të kërkohen jo vetëm nga Shteti i Palestinës, por edhe nga shtetet e tjera.
Nuseibah deklaroi se ekzistojnë rrugë diplomatike për kompensim për shkatërrimin në Gaza, duke vazhduar më tej: "Organizatat rajonale dhe ndërkombëtare mund të punojnë për dëmshpërblimet. Për shembull, ne e dimë që Kombet e Bashkuara kanë të dhëna për dëmshpërblimet që Izraeli duhet të paguajë për refugjatët e zhvendosur me forcë nga Izraeli që nga viti 1948, që nga Nakba dhe midis viteve 1947 dhe 1949. Ata mbajnë të dhëna sepse besojnë se duke zhvendosur palestinezët, Izraeli shkeli ligjin ndërkombëtar dhe për këtë arsye pritet të riparojë këtë dëm".
Nuseibah shpjegoi se OKB-ja gjithashtu mban të dhëna për dëmshpërblimet për të cilat Izraeli është përgjegjës për murin që ka ndërtuar në territorin e pushtuar palestinez që nga viti 2002, duke kujtuar mendimin këshillimor të gjykatës të vitit 2004 se Izraeli duhet të riparojë dëmin.
Ndër të tjera Nuseibah deklaroi se Izraeli nuk e ka riparuar kurrë dëmin që ka shkaktuar, duke theksuar nevojën për presion ndërkombëtar për ta detyruar Izraelin të zbatojë ligjin ndërkombëtar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.