Droni i SDF-së shënjestron ndërtesën e administratës së Halepit në Siri
Një dron i SDF-së goditi ndërtesën pas një konference për media të mbajtur nga guvernatori Azzam al-Gharib, ministri i Informacionit, Hamza al-Mustafa dhe ministrja e Çështjeve Sociale dhe Punës, Hind Kabawat
Stamboll
Një dron i operuar nga organizata terroriste YPG/SDF ka shënjestruar selinë e guvernatorit të Halepit menjëherë pas një konference për media ku morën pjesë zyrtarë të lartë, transmeton Anadolu.
Televizioni Al-Ikhbariya tha se një dron i SDF-së goditi ndërtesën pas një konference për media të mbajtur nga guvernatori Azzam al-Gharib, ministri i Informacionit, Hamza al-Mustafa dhe ministrja e Çështjeve Sociale dhe Punës, Hind Kabawat.
Drejtoria për Media e Halepit tha se sulmi me dron ndodhi teksa zhvillohej konferenca për media, si dhe e përshkroi sulmin një përpjekje për të “heshtur median” dhe për të parandaluar që informacioni të arrijë te publiku.
Drejtoria tha se sulmi pasqyron “sjelljen kriminale” të SDF-së dhe akuzoi grupin se ka shënjestruar institucionet qeveritare, personelin e medias dhe objektet mjekësore mes “humbjeve në rritje dhe rënies së strukturave të saj të armatosura në Halep”.
Drejtoria gjithashtu dënoi përpjekjet e SDF-së “për të shënjestruar gazetarët, për të mashtruar opinionin publik dhe për të përhapur thashetheme që kërcënojnë stabilitetin shoqëror”.
Deri më tani nuk janë dhënë informacione për viktima ose dëme nga sulmi me dron.
Që nga e marta, YPG/SDF ka bombarduar lagje banimi, objekte civile dhe pozicione të Ushtrisë Siriane në Halep.
Sulmet kanë shkaktuar nëntë të vdekur dhe 55 të plagosur, si dhe kanë detyruar rreth 165 mijë banorë të zhvendosen nga lagjet Ashrafieh dhe Sheikh Maqsoud.
Më 10 mars të vitit 2025, presidenca siriane njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për integrimin e SDF-së në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.
Autoritetet thanë se SDF-ja në muajt pasues nuk ka treguar asnjë përpjekje për të përmbushur kushtet e marrëveshjes.
Qeveria ka intensifikuar përpjekjet për të ruajtur sigurinë në mbarë vendin që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024, pas 24 vitesh në pushtet.
