Servet Günerigök
12 Mars 2020•Përditësim: 13 Mars 2020
Një ish-fotograf ushtarak sirian, duke përdorur pseudonimin Caesar, kërkoi që SHBA të qëndrojë me popullin sirian dhe të ndalojë vrasjet e regjimit të Bashar al-Assadit, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një seancë dëgjimore të Komisionit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme, Caesar tha se regjimi i Assadit ka përdorur mosveprimin e bashkësisë ndërkombëtare si një "dritë jeshile" për të vazhduar krimet kundër sirianëve.
"Për nëntë vjet, SHBA-të kanë shikuar se si jetojmë në bombardime dhe tortura. Ne ju lutemi juve, si administratë, të veproni drejt me popullin sirian dhe të shikoni popullin sirian si vëllezër dhe motra të aspektin njerëzor. Thjesht do të kërkoja nga administrata amerikane, ju lutem ndaloni vrasjet në Siri", tha ai.
Caesar, i cili tani është denoncues, punonte si fotograf mjeko-ligjor për ushtrinë siriane përpara se të shpaloste dhjetëra mijëra foto të kualitetit të lartë të njerëzve të torturuar për vdekje në një spital ushtarak pranë kryeqytetit Damask.
Ai tha se burgosjet dhe vrasjet e regjimit sirian janë rritur që kur ai u largua nga vendi rreth 5 vjet më parë.
Denoncuesi vlerëson se komuniteti ndërkombëtar duhet të padisë regjimin sirian për "përdorimin sistematik të makinerisë" kundër popullit sirian dhe t'i sjellë autorët e dhunës para gjykatave ndërkombëtare.
Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve. Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë janë zhvendosur.
Raed Al Saleh, drejtori i grupit sirian të mbrojtjes civile "Helmetat e Bardha", gjithashtu dëshmoi para Komitetit, i cili përfshinte senatorin dhe kryetarin e Komitetit, Jim Risch si dhe senatorin demokrat Bob Menendez.
Saleh tha se pasojat e mosveprimit të botës nuk mund të kufizohen në kufijtë e Sirisë.
"Edhe miliona refugjatë të tjerë do të ikin nga Siria në brigjet më të sigurta të Evropës. Asnjë mur kufitar nuk mund t'i ndalojë ata. Një gjeneratë e tërë e fëmijëve do të mbetet e paarsimuar. Grupet ekstremiste do të krijojnë kaos, për të cilin do të nevojiten koalicione globale në të ardhmen dhe triliona dollarë për të mposhtur kërcënimet e reja", tha Saleh.
Seanca dëgjimore gjithashtu trajtoi edhe krizën humanitare në provincën e Idlibit në veriperëndim të Sirisë dhe operacionin e Turqisë për të parandaluar ofensivën e forcave të Assadit të mbështetura nga Rusia dhe Irani.
Saleh tha se fushata e muajit të fundit të Ankarasë zyrtare prishi mitin se përdorimi i forcës për të ndaluar gjërat që mund të ndodhin, mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm.
"Në fakt, e kundërta ndodhi pas ndërhyrjes së shkurtër ushtarake të Turqisë. Javën e kaluar, pati një ndalesë të plotë të sulmeve ajrore. Por Turqia, e vetme, nuk mund ta bëjë këtë. Ajo ka nevojë për mbështetjen dhe udhëheqësinë tuaj", shtoi ai.
Në fjalën e tij hyrëse, senatori Risch shënjestroi qeverinë ruse dhe tha se Moska nuk ka interes të përfundojë luftën në Siri.
"Një Siri me ndarje të thella kurrë nuk do të shërohet. Populli sirian meriton më mirë, shumë më mirë", tha ai.
Idlibi bën pjesë në zonën e deeskalimit të parashikuar në një marrëveshje midis Turqisë dhe Rusisë në fund të vitit 2018. Magjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij vazhdimisht kanë thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës.
Në zonën e deeskalimit aktualisht gjenden rreth 4 milionë civilë, përfshirë edhe qindra mijëra persona të zhvendosur në vitet e fundit nga forcat e regjimit.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin javën e kaluar u dakorduan për një armëpushim të ri në Idlib i cili filloi më 5 mars.