Haydar Karaalp
07 Shtator 2018•Përditësim: 08 Shtator 2018
BASRA (AA) - Një grup demonstruesish në qytetin Basra në jug të Irakut kanë bastisur dhe i kanë vënë zjarrin konsullatës së Iranit në këtë qytet, njoftuan burimet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Konsullatës i është vënë zjarri gjatë demonstratave kundër "papunësisë, korrupsionit dhe për rritjen e shërbimeve publike", të cilat janë rritur vazhdimisht.
Më herët gjatë demonstratave flakë i është vënë edhe televizionit shtetëror dhe ndërtesave të partisë shiite dhe forcave milice.
Që nga 9 korriku, provincat qendrore dhe jugore me shumicë shiite në Irak, veçanërisht Basra, janë përfshirë nga demonstrata, të cilat në një moment u përhapën edhe në kryeqytetin Bagdad.
Demonstruesit kërkojnë përmirësimin e shërbimeve publike, më shumë mundësi punësimi dhe ndalimin e korrupsionit.
Sipas komisionit shtetëror të Irakut për të drejtat e njeriut, që nga fillimi i protestave, të paktën 26 demonstrues janë vrarë në përleshje me forcat e sigurisë.
Për vite, banorët e Basrës janë ankuar se shtetasit e huaj në vend të banorëve lokalë, janë duke u punësuar në sektorin e brendshëm të energjisë.
Rreth 80 për qind e eksporteve totale të naftës së papërpunuar në Irak vijnë nga fushat e naftës në provincën Basra.