Ekip
17 nëntor 2021•Përditësim: 17 nëntor 2021
Organizata terroriste DEASH ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, ku humbën jetën 6 persona ndërsa 33 të tjerë u plagosën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Uebfaqja e lajmeve Amaq e lidhur me DEASH-in raportoi incidentin në kanalin e saj Telegram.
Shpërthime të dyfishta tronditën Kampalan të martën në mëngjes përgjatë Avenysë Parlamentare dhe stacionit qendror të policisë.
Vdekjet përfshijnë tre sulmuesit vetëvrasës. Ekipet e policisë arritën të ndiqnin një kamikaz të katërt të cilin e plagosën.
Policia e Ugandës më herët tha se Forcat Demokratike Aleate (ADF), një grup rebel i lidhur me DEASH-in, kreu sulmin.
Siguria në të gjithë Ugandën është rritur për të shmangur një tjetër sulm të mundshëm.