15 Maj 2022•Përditësim: 16 Maj 2022
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu është takuar me ministrin e Jashtëm danez Jeppe Kofod në Berlin të Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Jam takuar me ministrin e Jashtëm danez Jeppe Kofod në margjinat e një takimi joformal të ministrave të Jashtëm të NATO-s", shkroi Çavuşoğlu në Twitter.
Çavuşoğlu ka zhvilluar mbrëmë edhe një takim trepalësh me ministrat e Jashtëm të Suedisë dhe Finlandës për aplikimet e dy vendeve për anëtarësim në NATO.
Një takim joformal i ministrave të Jashtëm të NATO-s po mbahet në Berlin. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti në Berlin dhe tha se aleatët do të diskutojnë për veprime të qëndrueshme ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.
Të pranishëm janë edhe ministrat e Jashtëm të Suedisë dhe Finlandës, të cilët po përgatiten për anëtarësim në NATO.
Duhet të diskutohet edhe për ndihmën ndaj Moldavisë dhe Gjeorgjisë, të cilat janë nën presionin e Rusisë, si dhe strategjia e re dhjetëvjeçare e NATO-s përpara samitit në Madrid në qershor.
Para takimit në Berlin u tha se NATO duhet të bëhet më e fortë dhe më e bashkuar për t'iu përgjigjur të gjitha sfidave dhe problemeve aktuale.