Behlül Çetinkaya
04 Mars 2022•Përditësim: 04 Mars 2022
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka realizuar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmitry Kuleba, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Jashtme e Turqisë përmes një deklarate njoftoi se Çavuşoğlu dhe Kuleba kishin diskutuar zhvillimet aktuale në Ukrainë.
Çavuşoğlu gjatë bisedës shprehu kënaqësinë e Turqisë se palët janë dakorduar gjatë bisedimeve të paqes të hapin një korridor humanitar, megjithëse në nivel rajonal, me qëllim të evakuimit të civilëve. Ai gjithashtu tha se ky korridor humanitar do të mundësojë evakuimin e qytetarëve dhe se do të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare në rajone.
Rusia dhe Ukraina në raundin e dytë të bisedimeve të paqes kanë rënë dakord për krijimin e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve dhe për dërgimin e ushqimit dhe ilaçeve, njoftoi anëtari i ekipit negociator ukrainas, Mikhail Podoljak.
Raundi i dytë i bisedimeve të paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës u mbajt në qytetin bjellorus Brest. Raundi tjetër i negociatave pritet të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Raundi i parë i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës u mbajt të hënën, pa rezultate konkrete pas bisedimeve që zgjatën rreth pesë orë.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt, shkaktoi zemërimin e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Kanadaja, Japonia dhe SHBA-ja vendosën sanksione ekonomike ndaj Moskës.
Sipas OKB-së, 227 civilë janë vrarë dhe 525 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Autoritetet ukrainase vlerësojnë se numri i të vdekurve është më shumë se 2.000. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) vlerëson se më shumë se një milion njerëz kanë ikur në vendet fqinje.