Ahmet Gürhan Kartal
07 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Britania e Madhe ka ulur numrin e stafit në ambasadat e saj në Teheran dhe Bagdad për shkak të tensioneve të larta në rajon pas vrasjes së gjeneralit të lartë iranian Qassem Soleimani javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tërheqja e disa diplomatëve është një masë paraprake, njoftuan mediat lokale përfshirë Sky News.
Ambasadorët Rob Macaire në Teheran dhe Stephen Hickey në Bagdad do të qëndrojnë në vend, sipas raportimeve.
"Siguria e stafit tonë është e një rëndësie të madhe, dhe ne gjithmonë kujdesemi për gjendjen tonë të sigurisë", u citua të ketë thënë zëdhënës i Zyrës së Jashtme për mediat lokale.
"Të dy ambasadat tona në Bagdad dhe Teheran mbeten të hapura", tha ai.
Mediat lokale sugjerojnë gjithashtu se Zyra e Jashtme ka hyrë në "modalitetin e krizës".
Kryeministri Boris Johnson u takua me ministrat e lartë të kabinetit të hënën pasdite, përfshirë Sekretarin e Jashtëm Dominic Raab dhe Sekretarin e Mbrojtjes Ben Wallace për të vlerësuar krizën e fundit.
Raab tha se mesazhi kryesor i qeverisë Britanike është "rëndësia e de-përshkallëzimit të tensioneve dhe gjetjes së një rrugë diplomatike për tejkalimin e kësaj krize".
"Ne kemi qenë të qartë se vendet kulturore janë të mbrojtura sipas ligjit ndërkombëtar, dhe ne presim që kjo të respektohet", tha Raab, duke distancuar pozicionin e Britanisë nga kërcënimi i fundit i presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit për fillimin e një fushate bombardimi në vendet e saj kulturore nëse hakmerret për vrasjen e Soleimanit.
Johnson gjithashtu zhvilloi një telefonatë me Kryeministrin e Irakut Adel Abdul-Mahdi, dhe të dy udhëheqësit kishin "rënë dakord të punonin së bashku për të gjetur një rrugë diplomatike", sipas zëdhënësit qeveritarë.
"Kryeministri (Boris Johnson) nënvizoi angazhimin e palëkundur të Britanisë për stabilitetin dhe sovranitetin e Irakut dhe theksoi rëndësinë e luftës së vazhdueshme kundër kërcënimit të përbashkët nga DEASH", shtoi zëdhënësi.
Johnson pritet të kryesojë një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të martën në mëngjes.
Soleimani, kreu i forcave elitare të Trupave Revolucionare Islame të Iranit, Kuds, u vra në një sulm me dron amerikanë pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit të premten.
Vdekja e Soleimanit çoi në një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të acaruara që kur Trump vendosi në vitin 2018 që të tërheqë njëanshëm Washingtonin nga pakti i marrëveshjes mbi programin bërthamor me Iranin.
Të premten, organi i lartë i sigurisë i Iranit u zotua për "hakmarrje të ashpër" në "kohën e duhur dhe vendin e duhur" për vrasjen e Soleimanit.