Emel Öz Gözellik
24 Shtator 2019•Përditësim: 24 Shtator 2019
Koreja e Jugut ka bërë të ditur se bisedimet bërthamore mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut pritet të rifillojnë brenda dy ose tre javësh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për gazetarët deputeti Kim Min-Ki i cili mori pjesë në takimin informues të Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës koreano-jugore (NIS) tha se "Pritet që takimet e punës mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së të mbahen brenda dy ose tre javësh".
Ai tha se zyrtarët e NIS kanë thënë se brenda këtij viti mund të zhvillohet edhe një samit mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe liderit verikorean Kim Jong-un në rast se arrihet ndonjë zhvillim në takimet e mundshme të punës mes dy vendeve.
- Kim i dërgon ftesë Trumpit
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka ftuar në Phenian presidentin amerikan Trump. Në artikullin e gazetës "Joongang Ilbo" të cilin e bazon mbi burime diplomatike thuhet se Kim Jong-un dëshiron të zhvillojë edhe një samit me Trumpin dhe se e ka ftuar atë në Phenian.
Liderët që nga Samiti i Singaporit në qershor 2018 e deri më tani janë takuar tre herë për të biseduar mbi programin raketor dhe bërthamor të Koresë së Veriut. Nëse Trump shkon në Phenian ai do të jetë presidenti i parë amerikan që ka vizituar kryeqytetin verikorean.
Dy liderët u takuan në qershor 2019 në zonën e demilitarizuar ushtarake mes Koresë së Jugut dhe Koresë së veriut. Pas samitit të dytë të zhvilluar në muajin shkurt në Vietnam bisedimet arritën në pikën e ndalimit.