Hakan Çopur
31 Dhjetor 2021•Përditësim: 01 Janar 2022
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden paralajmëroi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin lidhur me ndonjë hap të mundshëm ushtarak kundër Ukrainës dhe i bëri thirrje për të "ulur tensionet", transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki në një deklaratë me shkrim lidhur me bisedën telefonike të zhvilluar mes presidentëve Biden dhe Putin për Ukrainën dhe e cila zgjati rreth 50 minuta tha se presidenti amerikan i ka bërë thirrje homologut të tij rus të ul tensionet në çështjen e Ukrainës.
"Presidenti Biden ka thënë qartë se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të japin përgjigje të vendosur në rast se Rusia pushton më tej Ukrainën", thuhet në deklaratë lidhur me çështjen e ndonjë hapi ushtarak të mundshëm të Rusisë kundër Ukrainës. Më tej thuhet se Biden u kushton rëndësi bisedimeve të sigurisë SHBA-Rusi që do të fillojnë më 10 janar dhe procesit të dialogut që do të zhvillohet sërish mes NATO-s dhe Rusisë.
Biden i ka thënë Putinit se përparimi në bisedimet që do të fillojnë muajin e ardhshëm janë të lidhur me uljen e tensioneve Rusi-Ukrainë.
Shtëpia e Bardhë në një deklaratë ditë më parë tha se më 10 janar mes SHBA-së dhe Rusisë do të fillojnë bisedimet e sigurisë për çështjen e Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ka vendosur që më 12 janar të thërrasë në takim Këshillin NATO-Rusi.