Islam Uddin
04 Shkurt 2021•Përditësim: 04 Shkurt 2021
SHBA dhe Koreja e Jugut sot kanë rënë dakord të punojnë në një strategji të përbashkët mbi Korenë e Veriut për të sjellë paqe të qëndrueshme në Gadishullin Korean, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dakordimi erdhi gjatë bisedës së parë telefonike midis presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij koreano-jugor, Moon Jae-in, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Gjatë bisedës, të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për qëllimin e përbashkët të çarmatimit bërthamor të Gadishullit Korean, tha zëdhënësi i Moon-it, Kang Min-seok në një deklaratë.
"Sapo kam pasur një bisedë të shkëlqyeshme me presidentin Joe Biden. E mirëprita 'kthimin e Amerikës' në mes të sfidave globale në rritje si COVID-19, ndryshimet klimatike dhe polarizimi ekonomik", shkroi Moon në faqen e tij në Facebook.
"Presidenti Biden dhe unë u zotuam të azhurnojmë më tej aleancën ROK-SHBA, një aleancë që është e ankoruar në vlera të përbashkëta. Ne gjithmonë do të qëndrojmë së bashku derisa punojmë për paqen në Gadishullin Korean dhe të trajtojmë sfidat globale. Ne ecim së bashku!", shtoi ai.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut u goditën pak gjatë administratës së ish-presidentit, Donald Trump vitin e kaluar kur Washingtoni refuzoi "shumën e caktuar" të parave për Seulin në lidhje me kërkesën e saj për një pjesë më të madhe të kostos së forcave ushtarake amerikane të vendosura në Korenë e Jugut.
Moon dhe Biden ripohuan se aleanca Seul-Washington, e cila ka ekzistuar për shtatë dekada, është çelësi i paqes dhe prosperitetit rajonal, tha Kang, duke shtuar se të dy udhëheqësit u dakorduan ta zhvillojnë atë si një aleancë "gjithëpërfshirëse dhe strategjike" për të kontribuar në promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe multilateralizmit në botë përtej gadishullit dhe rajonit Indo-Paqësor.
Liderët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut po ashtu shprehën shqetësim në lidhje me situatën në Mianmar pas grushtit ushtarak dhe u pajtuan të bashkëpunojnë për një zgjidhje demokratike dhe paqësore të çështjes.