Ekip
14 Gusht 2017•Përditësim: 15 Gusht 2017
SEUL (AA) - Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, përjashtoi luftën në Gadishullin Korean, edhe pse pranoi se kërcënimi i Koresë së Veriut ka arritur në një nivel të paprecedent, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Moon Jae-in në një takim në Zyrën presidenciale pasuar nga bisedimet me shefin e trupave detare të SHBA-ve, Joseph Dunford, tha se: “Ne kurrë më nuk mund të kemi një luftë në Gadishullin Korean”.
Presidenti amerikan Donald Trump shkaktoi tronditje globale javën e kaluar kur tha se Koreja e Veriut do të përballet me “zjarr dhe tërbim” nëse ajo kërcënon vendin e tij, megjithëse Pheniani u përgjigj duke elaboruar një plan për të hedhur raketa balistike në ujërat pranë forcave amerikane të vendosura në ishullin Guam.
“Unë i bëj thirrje Koresë së Veriut që menjëherë të ndalojë të gjitha provokimet dhe kërcënimet dhe të ndalojë me përkeqësimin e situatës”, theksoi Moon Jae-in, gjatë takimit me ndihmësit e tij më të lartë.
Presidenti i Koresë së Jugut, i cili mori detyrën në muajin maj të këtij viti, shtoi se është i “bindur se edhe SHBA-të poashtu do të reagojnë me qetësi dhe përgjegjësi mbi situatën në vazhdim”.
Gjatë bisedimeve me gjeneralin Joseph Dunford, presidenti Moon Jae-in ka përsëritur se ai dëshiron bashkëpunim me Korenë e Veriut, por ka shtuar se kushtet e sigurisë në gadishull përbëjnë “një kërcënim më serioz, më real dhe më urgjent se kurrë më parë, si pasojë e përparimit të teknologjive bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut”.
Ndryshe, ministri koreanojugor i Mbrojtjes, Song Young-moo, hodhi poshtë mundësitë që Koreja e Veriut të godasë me raketa ishullin e Guamit. Në një raport të Komitetit parlamentar të mbrojtjes, Yong-moo përshkroi gjasat si jashtëzakonisht të ulëta.