Hasan Esen
30 Dhjetor 2015•Përditësim: 30 Dhjetor 2015
BRUKSEL (AA) - Sekretari i Shtetit për Azil dhe Migrim të Belgjikës, Theo Francken njoftoi se në këtë vend në vitin 2015 janë parashtruar rreth 30 mijë kërkesa për azil dhe se më shumë se gjysma e këtyre janë pranuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai në deklaratën për gazetën 'Het Laatste Nieuws' tha se janë duke pritur që numri i kërkesave për azil deri në fund të vitit të arrijë përafërsisht në 36 mijë. Francken theksoi se numri i azilkërkuesve me fëmijët nën 18 vjeç që nuk parashtrojnë kërkesa individuale por me familjet e tyre është rreth 48 mijë.
"Deri më tani 55 përqind të kërkesave janë pranuar. Gjithashtu ka kërkesa të shumta për bashkim familjar", tha Francken. Sipas tij, rreth 30 mijë kërkesa janë menaxhueshme.
Belgjika e cila ka një popullsi prej 11 milionë banorësh vitin e kaluar është ballafaquar me 15 mijë 320 kërkesa për azil, ndërsa 4 mijë prej këtyre kanë qenë nga Siria dhe Iraku. Azilkërkuesit e tjerë ishin nga shtete të ndryshme, përfshirë edhe shtetas rusë.