Yusuf Hatip
03 Qershor 2019•Përditësim: 04 Qershor 2019
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Këshillit Ushtarak në Sudan të respektojë të drejtën e popullit për të protestuar dhe t'ua dorëzojë administratën civilëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, deklaroi se "Po ndjekim nga afër zhvillimet në Sudan. I bëjmë thirrje Këshillit Ushtarak të veprojë me përgjegjësi dhe të respektojë të drejtën e popullit për të shprehur shqetësimin e tij".
"Prioriteti i BE-së është dorëzimi i shpejtë i qeverisjes tek civilët", tha Kocijançiq duke bërë të ditur se çdo hap i Këshillit Ushtarak që rrit përdorimin e dhunës do të dëmtojë procesin politik.
Të paktën 9 persona kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes që ushtria sudaneze kreu në orët e para të mëngjesit ndaj popullatës e cila për javë të tëra ka mbajtur protesta pro-demokratike para kazermës së ushtrisë në Khartoum.
Pas ndërhyrjes në fjalë disa parti dhe institucione opozitare në Sudan bënë thrirrje që Këshilli Ushtarak të lërë detyrën.
Protestat e nisura më 19 dhjetor të vitit të kaluar në Sudan kundër krizës ekonomike u përhapën me shpejtësi në kryeqytetin Khartoum dhe në gjithë vendin, duke u shndërruar në protesta kundër regjimit. Më 11 prill, pasi mori kontrollin e pushtetit, ushtria sudaneze njoftoi përfundimin e periudhës së Al-Bashirit pas disa muajve të protestave popullore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.
Pas ardhjes së ushtrisë në pushtet, protestat kanë vazhduar nëpër rrugë, ku protestuesit kërkuan kalimin në një qeverisje civile ndërsa janë zhvilluar bisedime me qeverisjen ushtarake se si duhet të formohet qeveria kalimtare.