Bota

BE shtyn lëshimin e "pasaportave të vaksinimit"

Zyrtarët e lartë të BE-së, Michel dhe Von der Leyen shprehën shqetësimet e tyre lidhur me përhapjen e llojit të ri të virusit në Evropë

Erdoğan Çağatay Zontur  | 22.01.2021 - Përdıtësım : 22.01.2021
BE shtyn lëshimin e "pasaportave të vaksinimit"

Ankara

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të shtyjë lëshimin e certifikatave të vaksinimit për personat e imunizuar ndaj koronavirusit të ri (COVID-19) si dhe zgjodhi të parandalojë të gjitha udhëtimet e panevojshme brenda bllokut evropian dhe me vendet e treta për të frenuar përhapjen e pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Liderët e BE-së zhvilluan një takim përmes video-konferencës për të diskutuar mbi përpjekjet e reja për pandeminë dhe vaksinimin kundër virusit në vendet anëtare të bllokut.

Në një konferencë për media pas takimit, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehën shqetësimet e tyre lidhur me përhapjen e llojit të ri të virusit në Evropë, si dhe theksuan se ata kanë për qëllim të parandalojnë udhëtimet jo të detyrueshme brenda BE-së dhe midis BE-së dhe vendeve të tjera.

Dy liderët njoftuan se ata synojnë të sugjerojnë shtimin e një kategorie të re në një hartë që tregon zonat e rrezikut.

Duke theksuar se rajonet që do të shfaqen me "të kuqe të errët" do t'u referohen vendeve të bllokut evropian ku virusi përhapet shumë shpejt, Von der Leyen tha se personat që udhëtojnë nga këto rajone ndoshta do të duhet të testohen para udhëtimit të tyre dhe të vetë-karantinohen pas udhëtimit.

Ajo po ashtu tha se ndoshta do të kërkohet rezultat negativ i testit për të gjithë personat që udhëtojnë nga vendet jashtë BE-së. Duke theksuar se ata janë kundër mbylljes së kufijve në tërësi, Von der Leyen tha se kufijtë duhet të qëndrojnë të hapur për transportin e mallrave dhe shërbimeve në tregun e brendshëm.

Michel, nga ana e tij, tha se masat kufizuese duhet të vazhdojnë dhe se në disa raste duhet të jenë më të rrepta.

Javën e kaluar, në një letër për Komisionin Evropian, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis propozoi certifikatë të vaksinimit COVID-19 që do të shërbejë për udhëtime në të gjithë BE-në.

Në një përpjekje për të shpëtuar sezonin e ardhshëm turistik, ai propozoi t'u mundësohet një lëvizje e lirë të gjithë atyre që janë vaksinuar kundër pandemisë.

Edhe pse kryeministri grek mohoi idenë e bërjes të detyrueshme vaksinimin ose parakusht për udhëtimet, propozimi i tij tashmë ka ndarë liderët e BE-së.

Michel po ashtu ka paralajmëruar se këto certifikata të vaksinimit duhet të paraqiten pasi tani më një numër i madh i personave kanë marrë dozat. Përndryshe, sipas tij, qeveritë rrezikojnë të krijojnë një zhgënjim të madh.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.