Bota

BE shmang dënimin e dhunës së policisë franceze

"Franca ka një sistem ligjor dhe procedurë e cila mund të shqyrtojë çdo ankesë lidhur me dhunën policore. Kemi besim të plotë se autoritetet franceze do t'i kenë paraysh këto ankesa", tha zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer

Şerife Çetin   | 06.12.2019
BE shmang dënimin e dhunës së policisë franceze

Bruksel

Bashkimi Evropian (BE) nuk bëri thirrje për vetëpërmbajtje, duke shmangur dënimin e përdorimit të dhunës nga policia në protestat që vazhdojnë kundër reformës së pensioneve në Francë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një konference për shtyp, gazetari i AA-së i ka parashtruar zëdhënësit së Komisionit Evropian (KE), Eric Mamer, pyetjen "A keni ndonjë reagim ndaj dhunës policore kundër protestuesve në Francë që protestojnë ndaj reformës së pensioneve të presidentit Emmanuel Macron? Kolegu im Mustafa Yalçın, ishte një nga gazetarët që u plagos në protesta. Yalçın përballet me rrezikun e humbjes së syrit të tij për shkak se u godit nga një bombole gazi të përdorur nga policia".

Në këtë Mamer u përgjigj se "KE-ja respekton të drejtën e personave për të protestuar dhe të drejtën e gazetarëve për të bërë këtë lajm duke ndjekur këto ngjarje. Por, në të njëjtën kohë forcat e policisë kanë për detyrë të sigurojnë që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore. Përveç kësaj nuk kemi koment tjetër lidhur me situatën në Francë".

Pasi rikujtoi se KE-ja ka bërë thirrje kur bëhet fjalë për protesta në Iran, Irak, Bolivi ose në Kili, gazetari i AA-së shtroi pyetjen "Me sa kuptoj nuk do të bëni thirrje për vetëpërmbajtje për Francën. BE-ja po ashtu është shmangur të bëjë deklaratë edhe për dhunën e policisë gjatë protestave të 'Jelekëve të verdhë' ku 25 persona humbën syrin, kur 300 persona u plagosën në kokë dhe kur 1 person humbi jetën. Dua të di se cilat kritere i respektoni për të dhënë deklarata në lidhje me protestat në një vend. Edhe gjatë protestave në Spanjë, ju nuk bëtë thirrje për vetëpërmbajtje. A është e nevojshme të jesh një shtet anëtar i fortë si Franca dhe Spanja që të përjashtohesh nga deklaratat?"

Duke mbrojtur idenë e tij se i kanë bërë thirrje për vetëpërmabajtje të gjithë palëve kur ka protesta, Mamer tha se protestuesit kanë të drejtë të zhvillojnë protesta paqësore dhe të drejtë që të shprehin mendimet e tyre.

- "Situatat u interesojnë vendeve anëtare"

"Forcat e sigurisë ndonjëherë mund të përballen me situata të vështira, por këto situata i përkasin, u interesojnë vendeve anëtare. Vendet anëtare kanë procedurat e nevojshme për t'u përballur me këto procese", tha Mamer.

Meqë edhe një gazetar tjetër tha që mendon se "duhet të dënohet kur policia në një prej vendeve anëtare aplikon dhunë", zëdhënësi Mamer deklaroi "Franca ka një sistem ligjor dhe procedurë e cila mund të shqyrtojë çdo ankesë lidhur me dhunën policore. Kemi besim të plotë se autoritetet franceze do t'i kenë paraysh këto ankesa".

- Policia e Francës plagosi gazetarin e AA-së

Fotoreporteri i AA-së, Mustafa Yalçın u plagos dje në sy nga një bombole gazi e hedhur nga policia franceze në momentin kur ai ishte duke ndjekur në vendngjarje protestat e zhvilluara nga dhjetëra mijëra njerëz kundër politikave të presidentit francez Emmanuel Macron.

Yalçın, i cili po ndiqte nga afër protestat, u plagos në sy pasi bombola e gazit e forcave të sigurisë ka thyer xhamin e maskës që kishte vendosur si masë mbrojtëse.

Sipas të dhënave që gazetari i AA-së ka përpiluar, mësohet se për shkak të forcës disproporcionale të përdorur nga policia franceze në vitin e fundit ka humbur jetën 1 person, 26 të tjerë kanë humbur syrin dhe rreth 500 të tjerë janë plagosur.

Gjatë protestave janë arrestuar më shumë se 12 mijë persona ndërsa 3.163 janë dënuar me burgim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın