Ayhan Şimşek
16 Tetor 2019•Përditësim: 16 Tetor 2019
Bashkimi Evropian (BE) nuk planifikon kurrfarë sanksionesh ekonomike mbi Turqinë për momentin, tha të martën një diplomat i lartë gjerman, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur para gazetarëve në prag të fillimit të takimit të liderëve të BE-së këtë javë, diplomati i lartë tha se krerët do të diskutojnë operacionin antiterrorist në vijim të Turqisë në Siri, së bashku me temat tjera kryesore të BE-së dhe ndërkombëtare, gjatë samitit dy-ditor që filloi të enjten.
"BE nuk ka bërë asnjë plan deri më tani për të imponuar sanksione ekonomike ndaj Turqisë", tha ai, por theksoi se vendet anëtare kundërshtojnë veprimin ushtarak të Turqisë dhe po ndjekin nga afër zhvillimet.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian folën të hënën për kufizimin e eksporteve të armëve në Turqi, duke shprehur shqetësime për një krizë humanitare dhe paqëndrueshmëri në rajon. Por asnjë embargo e armëve në mbarë BE-në nuk doli nga takimi.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin "Burimi i Paqes" në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste, si dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.
Më parë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi tërheqjen e forcave amerikane nga Siria verilindore, e cila u interpretua gjerësisht në media si një "dritë jeshile" për operacionin antiterrorist të Turqisë.
Trump kritikoi më vonë veprimin ushtarak të Turqisë dhe njoftoi sanksione për të bërë presion ndaj Ankarasë për të ndërprerë operacionin. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se Washingtoni do të zhvillojë bisedime me partnerët evropianë për t'i bërë presion që të marrin masa të ngjashme diplomatike dhe ekonomike.
Udhëheqësit turq kanë nënvizuar vazhdimisht se operacioni antiterrorist i Turqisë në Sirinë veriore nuk ka për qëllim kurdët, por synon të pastrojë rajonin nga grupet terroriste PKK/YPG dhe të sigurojë integritetin territorial të Sirisë.