Diyar Güldoğan
16 Korrik 2019•Përditësim: 17 Korrik 2019
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, ka kërkuar nga Irani që t’i përmbahet plotësisht marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, transmeton Anadolu Agency (AA).
“E ftojmë Iranin që t’i kthehet në përputhshmëri të plotë. Dua të jem e qartë për këtë, duam të shohim Iranin të kthehet në përputhshmëri të plotë siç ka qenë në këto vite”, tha Mogherini pas takimit të djeshëm të Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel.
Ajo tha se marrëveshja e pengoi Iranin të zhvillonte armë bërthamore, duke shtuar se, “Ka qenë efektive dhe mendoj se të gjithë e pranojnë se sot nuk ka alternativë për atë marrëveshje”.
Mogherini po ashtu theksoi se me rëndësi është të mbahet situata e qetë në rajon dhe të shmanget çdo përshkallëzim që mund të vë në rrezik sigurinë e BE-së.
Sipas Planit të Veprimit të Përbashkët Gjithëpërfshirës (JCPoA) të nënshkruar nga Britania e Madhe, SHBA, Rusia, Kina, Franca, Gjermania dhe BE-ja, Irani u pajtua të asgjësojë rezervat e saj të uraniumit të pasuruar.
Megjithatë, së fundmi Irani konfirmoi se ka shkelur kufirin prej 3,67 për qind të uraniumit të pasuruar të vendosur në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Në muajin tetor të vitit 2017, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi tërheqjen e njëanshme të Washingtonit nga marrëveshja bërthamore. Menjëherë më pas, SHBA-të imponuan sanksione ndaj Iranit.