Selen Temizer
20 Shkurt 2022•Përditësim: 20 Shkurt 2022
Bashkimi Evropian ka dënuar shkeljet e armëpushimit dhe vendosjen në objektiv në mënyrë të rastësishme të zonave civile në lindje të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell thuhet se vazhdon të jetë burim shqetësimi grumbullimi në shkallë të gjerë i forcave të armatosura të Rusisë në kufijtë e Ukrainës.
"BE-ja i bën thirrje Rusisë që të ulë tensionet duke tërhequr në masë të madhe forcat e saj ushtarake në afërsi të kufijve të Ukrainës", thuhet në deklaratën në të cilën shtohet se:
"Ky përshkallëzim përkeqësohet më tej me shkeljet e armëpushimit në rritje në ditët e fundit përgjatë vijës së kontaktit në lindje të Ukrainës. BE dënon bombardimin e zonave civile në mënyrë të rastësishme dhe përdorimin e armëve të rënda të cilat përbëjnë shkeljen e hapur të marrëveshjeve të Minskut dhe të ligjit ndërkombëtar humanitar".
"Përgëzojmë qëndrimin e kujdesshëm të Ukrainës përballë provokimeve të vazhdueshme dhe përpjekjeve për destabilizim. Mbështesim propozimin e Përfaqësuesit special të OSBE-së për të thirrur në një takim të jashtëzakonshëm Grupin e Kontaktit Trepalësh. U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të Grupit që të jenë partnerë në këtë përpjekje për të diskutuar në mënyrë diplomatike situatën aktuale", thuhet në deklaratë.
BE-ja është jashtëzakonisht e shqetësuar se provokimet mund të përdoren si një arsyetim për përshkallëzim ushtarak, vihet në dukje në deklaratën ku bëhet thirrja që të njihet liria e veprimit për Misionin Vëzhgues të OSBE-së.
Gjithashtu duke iu referuar sanksioneve të mundshme, në deklaratë thuhet se "Çdo sulm ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës do të ketë pasoja të mëdha dhe kosto serioze duke përfshirë edhe masat kufizuese të koordinuara me partnerët".