Şerife Çetin
13 nëntor 2017•Përditësim: 14 nëntor 2017
BRUKSEL (AA) - Konfirmohet se 23 anëtarë të Bashkimit Evropian (BE) kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për krijimin e "Bashkëpunimit të Përhershëm të Strukturuar" (PESCO), i cili parashikon të bëjë të përhershëm bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Këshilli i BE-së theksohet se 23 vendet anëtare të BE-së kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët për krijimin e PESCO-s, ku kjo deklaratë i është përcjellë Këshillit të BE-së dhe përfaqësueses së Lartë të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Në deklaratën ku nënshkrimi i deklaratës së përbashkët cilësohet si hapi i parë zyrtar për formimin e PESCO, thuhet se struktura e bashkëpunimit të përhershëm në marrëveshjen e Lisbonës, fillimisht do t'iu njohë mundësinë vendeve anëtare të BE-së që të punojnë së bashku në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Shtetet anëtare mund të zhvillojnë aftësi të përbashkëta mbrojtëse, dhe se këto vende mund të investojnë në projekte të përbashkëta dhe mund të kontribuojnë në zhvillimin e ushtrive të tyre, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Austria, Belgjika, Bullgaria, Çekia, Kroacia, Qiproja Greke, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja dhe Suedia janë vendet që kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët. Ndërkohë që në këtë fazë, theksohet se në të ardhmen është e hapur mundësia e bashkimit të vendeve që nuk marrin pjesë në PESCO.
Gjithashtu theksohet se PESCO është një kornizë ligjore detyruese dhe gjithëpërfshirëse për rregullimin e investimeve në lidhje me mbrojtjen dhe thuhet se synimi i saj është "mbrojtja e territorit të BE-së dhe të qytetarëve të saj".
Në deklaratë, u njoftua se shtetet anëtare kanë konfirmuar rritjen e buxheteve të mbrojtjes në këtë kuadër.
"Faqe e re për mbrojtjen e Evropës"
Mogherini e cila kryeson Këshillin e Punëve të Jashtme, në një deklaratë në lidhje me këtë çështje tha se "Sot hapim një faqe të re për mbrojtjen e Evropës".
Pasi ka vënë në dukje se është një "ditë historike" për mbrojtjen evropiane, Mogherini tha se shtetet anëtare aktualisht kanë propozuar më shumë se 50 projekte brenda kuadrit për "Bashkëpunimin e Përhershëm të Mbrojtjes".