Ekip
11 Prill 2022•Përditësim: 11 Prill 2022
Bashkimi Evropian (BE) ka nisur zyrtarisht procesin për anëtarësim të mundshëm në bllok të Gjeorgjisë dhe Moldavisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në margjinat e një takimi të shefave të diplomacisë së BE-së, të mbajtur në Luksemburg, komisioneri i BE-së për zgjerim, Oliver Varhelyi, u dorëzoi pyetësorin e aplikimit për anëtarësim të Komisionit Evropian kryediplomatit të Gjeorgjisë, Ilia Darchiashvili dhe atij të Moldavisë, Nicu Popescu.
“Ky është i parë në rrugën tuaj evropiane. Ne jemi të gatshëm të ecim shumë shpejtë, kështu që sa më shpejtë ta plotësoni, aq më shpejt do të mund t’i japim mendimin Këshillit Evropian”, shkroi Varhelyi në llogarinë e tij në twitter, duke njoftuar fillimin zyrtar të procedurës së anëtarësimit.
Të premten, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të njëjtin pyetësor i dha presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, gjatë vizitës së saj në kryeqytetin ukrainas Kiev, në vendin ku vazhdon konflikti.
Bazuar në përgjigjen e aspirantit, Komisioni Evropian do të japë një opinion nëse vendi mund të marrë statusin e kandidatit dhe të fillojë negociatat e anëtarësimit në fazën e parë të procesit.
Liderët e BE-së duhet të miratojnë unanimisht nëse duan të vazhdojnë procesin e zgjerimit.
Zelenskyy aplikoi për anëtarësim në BE vetëm katër ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, duke kërkuar një proces të shpejtë aplikimi.
Të frymëzuar nga kjo kërkesë, edhe dy ish-republikat sovjetike, Gjeorgjia dhe Moldavia, paraqitën aplikimet e tyre në BE më 3 mars.