Şerife Çetin
13 Nëntor 2017•Përditësim: 15 Nëntor 2017
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Evropian (BE) ka marrë vendim për të ngritur një grup ekspertësh të nivelit të lartë për të luftuar kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave në internet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftohet në një deklaratë me shkrim nga Komisioni Evropian, grupi që do të përbëhet nga akademikë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe organeve mediatike, do të kryejë hulumtime në lidhje me lajmet e rreme dhe dezinformatat dhe do të pranojë edhe mendimin e opinionit publik.
Po ashtu, thuhet se rezultatet e hulumtimit do të kontribuojnë në krijimin e strategjisë së BE-së në luftën kundër lajmeve të rreme.
Në deklaratë është cituar edhe Zëvendëspresidenti i Parë i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, i cili ka paralajmëruar se përhapja e informacioneve dhe dezinformatat kanë arritur në përmasa të jashtëzakonshme.
"Prandaj, qytetarëve tanë duhet t'u ofrojmë mjete të cilat do të mundësojnë që ata t'i detektojnë lajmet e rreme, që do të rrisin besimin në internet dhe që do t'u ndihmojnë atyre në përdorimin e informacioneve të marra", ka thënë Timmermans.
Ndryshe, ky vendim vjen pasi në muajin korrik, Parlamenti Evropian kishte firmosur një projekt-rezolutë me të cilën kërkohej që Komisioni të iniconte punime lidhur me lajmet e rreme.
Në projekt-rezolutë kërkohej hulumtimi i mjeteve ligjore lidhur me çështjen dhe përcaktimi i ndryshimeve ligjore për pengimin e përhapjes së lajmeve të rreme.