Bota

"Bashkëpunimi NATO-Turqi, më gjithëpërfshirës se F-35"

"Turqia kontribuon në operacionet në Ballkan, në Kosovë, Afganistan dhe në shumë operacione të NATO-s. Si një aleate e NATO-s Turqia është shumë më tepër se S-400", tha Stoltenberg

Hakan Çopur  | 18.07.2019 - Përdıtësım : 19.07.2019
"Bashkëpunimi NATO-Turqi, më gjithëpërfshirës se F-35"

Washington

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se "Kontributi i Turqisë në NATO dhe bashkëpunimi i NATO-s me Turqinë është shumë më i thellë dhe më gjithëpërfshirës se F-35", transmeton Anadolu Agency (AA).

Pasi ka marrë pjesë në konferencën vjetore të sigurisë të mbajtur në Colorado të SHBA-ve nga Instituti Aspen, Stoltenberg ka bërë vlerësime në lidhje me blerjen e sistemit S-400 nga Turqia.

Duke shpjeguar se po ndjekin nga afër procesin e blerjes së S-400 nga Rusia dhe se çështjen po e diskutojnë mes njësive përkatëse, Stoltenberg tha se "Çdo vend vendos vetë se çfarë lloj sistemesh mbrojtëse do të blejë. Por, gjëja e rëndësishme për NATO-n është nëse këto sisteme funksionojnë në përputhje me sistemet e NATO-s".

"Sistemet S-400 që Turqia ka blerë nuk do të integrohen në sistemin e mbrojtjes ajrore të NATO-s për shkak se këto sisteme nuk mund të punojnë së bashku. Madje, as Turqia nuk ka bërë asnjë kërkesë të tillë", tha Stoltenberg.

"Turqia ishte pjesë e integruar e sistemit të mbrojtjes ajrore të NATO-s"

"Kontributi i Turqisë në NATO dhe bashkëpunimi i NATO-s me Turqinë është shumë më i thellë dhe më gjithëpërfshirës se F-35. Nuk e nënvlerësoj çështjen e S-400, por Turqia si një aleat i NATO-s është më shumë se S-400. Turqia është një aleat kyç në luftën kundër DEASH-it. Turqia kontribuon në operacionet në Ballkan, në Kosovë, Afganistan dhe në shumë operacione të NATO-s. Si një aleate e NATO-s Turqia është shumë më tepër se S-400. Turqia ishte pjesë e integruar e sistemit të mbrojtjes ajrore të NATO-s, ajo do të vazhdojë të jetë e tillë. Megjithatë, unë jam i shqetësuar për shkak të pikës ku kemi arritur tani, sepse tashmë Turqia nuk do të jetë pjesë e programit të F-35", theksoi Stoltenberg.

Ai tha se Turqia po vazhdon bisedime për blerjen e sistemeve amerikane Patriot apo sistemin raketor Eurosam të partneritetit Italo-Francez. Stoltenberg vuri theksin në rëndësinë e këtyre bisedimeve.

Në pyetjen nëse ka apo jo ndonjë diskutim të tillë për largimin e Turqisë nga NATO-ja pas blerjes së S-400, Stoltenberg është përgjigjur se "Turqia është një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe asnjë aleat nuk ka ngritur një çështje të tillë sepse ne e shohim se të gjithë jemi të lidhur me njëri-tjetrin".

Stoltenberg shtoi se edhe në situatën e mos-zgjidhjes së mosmarrëveshjes që ka nisur me blerjen e S-400, ata do të punojnë që ta minimizojnë ndikimin e kësaj tek Aleanca.

Në një deklaratë dje nga Shtëpia e Bardhë lidhur me blerjen e sistemit S-400 nga Turqia thuhej se Turqia tashmë nuk do të jetë më pjesë e projektit të F-35. "SHBA ende e vlerëson shumë marrëdhënien strategjike me Turqinë. Si aleatë të NATO-s, marrëdhëniet tona janë të shtrira në shumë fusha dhe nuk janë të lidhura vetëm me F-35", potencoi Stoltenberg.

Gjithashtu edhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) bëri të ditur se për shkak të blerjes S-400 ka nisur procesi për largimin e Turqisë nga projekti F-35. "Bashkë me këtë, SHBA ende e vlerëson shumë partneritetin strategjik me Turqinë", thuhet në deklaratë.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın