Cüneyt Karadağ
25 tetor 2019•Përditësim: 26 tetor 2019
Në Gjermani veprimet e dhunshme të mbështetësve të organizatës terroriste YPG/PKK vazhdojnë duke u rritur ndërsa autoritetet gjermane vazhdojnë të qëndrojnë indiferente ndaj veprimtarive të YPG/PKK-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Që kur Turqia filloi më 9 tetor operacionin "Burimi i Paqes", përkrahësit e YPG/PKK-së kanë zhvilluar protesta në të gjithë Gjermaninë dhe kanë kryer sulme ndaj bizneseve, qendrave kulturore dhe xhamive turke në qytete të ndryshme të vendit.
Derisa në këto sulme janë plagosur 15 shtetas turq përfshirë një prej tyre në gjendje të rëndë, Turqia në notë-protestën e saj ndaj Gjermanisë ka kërkuar që të rriten masat kundër organizatës terroriste në mbrojtje të komunitetit dhe institucioneve turke.
- Shërbimet sekrete gjermane mjaftohen duke i vëzhguar
Raportet e publikuara kohët e fundit nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) e cila është institucion i shërbimit të brendshëm gjerman, tregojnë se YPG/PKK-ja gjithnjë e më shumë u drejtohet akteve të dhunës dhe se kuadrot drejtuese të organizatës terroriste inkurajojnë të rinjtë në dhunë.
Sipas të dhënave zyrtare, krimet e kryera nga anëtarët e YPG/PKK-së kanë arritur në 1.873 duke shënuar një rritje mbi 80 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm 2018. Sipas statistikave të policisë 305 prej këtyre përbëjnë akte të dhunës.
Gjithashtu sipas raportit të BfV-së për vitin 2018, organizata terroriste PKK ka rreth 14.500 anëtarë të saj në Gjermani.
Gjermania ndodhet në pozicionin e një prej qendrave më të rëndësishme nga pikëpamja e aktiviteteve të organizatës terroriste për propagandë, për sigurimin e elementëve dhe mbledhjen e parave.
- Dërgon luftëtarë nga Gjermania
Aktivitetet e PKK-së dhe degës së saj siriane YPG-së për sigurimin e elementëve dhe dërgimin e tyre jashtë vendit për të luftuar ndiqen nga afër nga shërbimet gjermane.
Në raportin në faqen e internetit të BfV-së, thuhet se YPG/PKK-ja po tregon përpjekje kryesisht për të ndikuar tek të rinjtë dhe t'i bëjë ato pjesë të organizatës nëpërmjet faqeve të internetit, llogarive në rrjetet sociale që ka krijuar kohët e fundit si dhe nëpërmjet festivaleve që zhvillon në të gjithë Gjermaninë.
Ndër të tjera në raport përmenden edhe informacionet se kohët e fundit nga Gjermania janë dërguar për të luftuar në Irak dhe Siri të paktën 250 luftëtarë, ku dhe disa prej tyre kanë vdekur.
- Kandili drejton strukturën në Gjermani
Në Gjermani, përkrahësit e YPG/PKK-së veprojnë nën maskën e shoqatave kulturore. Ato zhvillojnë propagandë kundër Turqisë duke u prezantuar si organizata pro-paqes dhe demokratike.
Sipas raportit të BfV-së, elementët e organizatës terroriste PKK në Gjermani veprojnë brenda një strukture jashtëzakonisht hierarkike dhe zbatojnë plotësisht urdhrat që vijnë nga Kandili.
- Kanë mbledhur 15 milionë euro
Në raportin e shërbimeve të brendshme gjermane theksohet se organizata terroriste ka mbledhur të paktën 15 milionë euro në fushatat e ndihmës që ka kryer në të gjithë Gjermaninë gjatë vitit 2018.
Ndërkohë që ekspertët e sigurisë vlerësojnë se të ardhurat që organizata terroriste siguron nga aktivitetet si trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe mbledhja e gjobave (haraçeve) janë më shumë se kaq, duke arritur në rreth 40 milionë euro.
Organizata terrorsite e ndan Gjermaninë në 9 rajone kryesore dhe 31 nën-rajone dhe nëpërmjet përgjegjësve që ka vendosur në këto rajone ajo vazhdon aktivitetet e saj.
- Shumica e hetimeve pa rezultat
Autoritetet gjermane nuk zhvillojnë hetime efektive kundër aktiviteteve të PKK-së e cila është ndaluar në vend që nga viti 1993, ndërsa përkrahësit e organizatës të përfshirë në krime shpeshherë gjobiten dhe lirohen me dënime të lehta.
Kryeprokuroria federale gjatë periudhës 2011-2017 ka hapur hetime vetëm ndaj 387 anëtarëve të PKK-së me akuzat për anëtarësim në organizatën terroriste ose mbështetje ndaj organizatës, ku dhe shumica e këtyre gjykimeve kanë rezultuar me dënime të lehta.
Kohët e fundit vetëm 11 nga anëtarët e nivelit të lartë të PKK-së janë dënuar me burgim duke filluar nga 2 vjet e 6 muaj e deri në 4 vjet e 6 muaj.