BALLKANI

Zyra e Guvernatorit të Edirnesë organizoi iftar në Kosovë

Në fjalën e tij, ambasadori Angili theksoi se qyteti Edirne përbën një qendër tërheqëse për Ballkanin

Agim Sulaj, Eren Beksaç  | 05.03.2026 - Përdıtësım : 05.03.2026
Zyra e Guvernatorit të Edirnesë organizoi iftar në Kosovë Foto: Doğukan Vurgun/AA

Prizren

Me iniciativën e Zyrës së Guvernatorit të Edirnesë, Platforma e Bashkëpunimit të Qyteteve të Ballkanit Edirne me mbështetjen e Ambasadës së Turqisë në Prishtinë dhe Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Prizren, në Prizren u organizua një program iftari, raporton Anadolu.

Në programin e iftarit morën pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angili, zv/kryeministri i tretë i Kosovës për Çështje të Komuniteteve dhe Kthim, Fikrim Damka, ministri i Zhvillimit Rajonal i Kosovës, Rasim Demiri, konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Prizren, Fatih Topcu, zv/guvernatorët e Edirnesë, Sidki Zehin dhe Omer Sevgili, si dhe deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, ambasadori Angili theksoi se qyteti Edirne përbën një qendër tërheqëse për Ballkanin. Ai theksoi se një numër i madh studentësh nga Kosova studiojnë në Universitetin “Trakaya” ndërsa qytetarë kosovarë me probleme shëndetësore trajtohen në spitalin universitar të këtij universiteti dhe në spitalet e tjera të qytetit.

Angili shprehu dëshirën që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë të forcohen edhe më tej në të ardhmen.

“Me mbështetjen e Guvernatorit tonë, Yunus Sezer, shumë të rinj nga Kosova marrin pjesë në kampet rinore në Edirne. Kjo luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet qeverive dhe shteteve tona, por sidomos në thellimin e lidhjeve mes shoqërive tona, që janë vlera jonë më e rëndësishme. Prandaj, dëshiroj ta falënderoj Edirnenë dhe Guvernatorin e saj jo vetëm për organizimin e këtij iftari, por edhe për faktin se gjatë gjithë vitit nuk e harrojnë Kosovën dhe kontribuojnë në forcimin e lidhjeve shoqërore mes dy vendeve”, tha Angili.

Zv/kryeministri Damka, nga ana e tij, theksoi se Edirne ka një vlerë dhe rëndësi të veçantë për Kosovën. Ai falënderoi drejtuesit e Edirnesë për hapjen e dyerve në fushën e arsimit dhe shëndetësisë për qytetarët kosovarë.

“Lidhjet tona me Edirnenë po bëhen çdo ditë e më të forta. Edirne është afër nesh. Edirne zë një vend të veçantë në gjeografinë tonë shpirtërore”, tha Damka.

Zëvendësguvernatori Zehin shprehu kënaqësinë që në kuadër të iftareve tradicionale u mblodhën edhe një herë bashkë.

Ai përcolli përshëndetjet e Guvernatorit të Edirnesë, Yunus Sezer, duke shprehur shpresën që programi të kontribuojë në forcimin e miqësisë mes Turqisë dhe Kosovës.

Programi i iftarit përfundoi me koncertin me ilahi nga artistët e Korit Shtetëror të Edirnesë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arteve të Bukura të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, si dhe me "shfaqjen sema".

Platforma e Bashkëpunimit të Qyteteve të Ballkanit Edirne do të vazhdojë programet e iftarit në qytetet Elbasan të Shqipërisë dhe Xanthi e Komotini të Greqisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.