Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, partitë në pushtet kryesojnë në shumicën e komunave
VMRO-DPMNE kryeson në 54 komuna, Koalicioni VLEN në nëntë, LSDM në tetë, AKI në pesë, Partia Demokratike e Turqve të Maqedonisë, Lëvizja ZNAM dhe Unioni i Romëve me nga një komunë secila si dhe dy kandidatë të pavarur në Strugë dhe Studeniçan

Shkup
Sipas rezultateve të para të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) partitë në pushtet, respektivisht VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni VLEN, kryesojnë në shumicën e komunave ndaj partive opozitare, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), transmeton Anadolu.
Sipas të dhënave të KSHZ-së nga 99,94 për qind të votave të numëruara në nivel shtetëror, VMRO-DPMNE-ja kryeson me fitore në 54 komuna, përfshirë Qytetin e Shkupit, Koalicioni VLEN në nëntë komuna, LSDM në tetë komuna, AKI në pesë komuna, Partia Demokratike e Turqve të Maqedonisë, Lëvizja ZNAM dhe Unioni i Romëve me nga një komunë secila, si dhe dy kandidatët e pavarur, Mendi Qyra në Strugë dhe Azem Sadiki në Studeniçan.
Në garën për Qytetin e Shkupit, nga 41,47 për qind e votave të përpunuara, Orce Gjorgjievski nga VMRO-DPMNE-ja udhëheq me 39,43 për qind të votave ndërsa pas tij vijnë Amar Mecinoviq (E Majta) me 13,20 për qind, Kaja Shukova (LSDM) me 11,50 për qind dhe Skender Rexhepi (AKI) me 11,22 për qind.
Në Çair zv.kryeministri aktual Izet Mexhiti nga radhët e Koalicionit VLEN shpalli fitoren me 51,82 për qind të votave duke fituar ndaj kundërkandidatit Bujar Osmani nga radhët e AKI-së, i cili ka siguruar 40,39 për qind të votave.
Në Tetovë, kryetari aktual Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN udhëheq me 45,64 për qind të votave kundrejt Bajram Rexhepit nga AKI me 36,63 për qind të votave të grumbulluara.
Në Gostivar, Valbon Limani nga AKI kryeson bindshëm me 61,39 për qind të votave të grumbulluara, i ndjekur nga Sebaedin Dauti me 15,29 për qind të votave, Darko Grujoski me 10,35 për qind dhe Visar Ademi me 5,10 për qind.
Në Kërçovë udhëheq Aleksandar Jovanovski nga VMRO-DPMNE-ja me 44,90 për qind të votave. Pas tij, Fatmir Dehari nga AKI ka grumbulluar 21.28 për qind të votave, Fatmir Limani nga Koalicioni VLEN 15,86 për qind dhe Shkodran Alili 14,86 për qind të votave.
Në Strugë udhëheq kandidati i pavarur Mendi Qyra me 37,71 për qind, i ndjekur nga Arsim Dalipi nga AKI me 36,90 për qind të votave dhe Jovana Mojsoska nga E Majta me 10,66 për qind.
Në Ohër, Kiril Pecakov nga VMRO-DPMNE-ja fitoi bindshëm me 63,91 për qind të votave ndaj Asen Shajnit të LSDM-së me 23,73 për qind të votave.
Në Kumanovë, Maksim Dimitrievski, lider i Lëvizjes ZNAM në pushtet, udhëheq me 37,89 për qind të votave, i ndjekur nga Selver Ajdini nga radhët e AKI-së me 13,83 për qind, Martin Kostovski nga LSDM-ja me 13,56 për qind dhe Arben Etemi nga VLEN-i me 9,02 për qind.
- 46,65 për qind e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës deri në ora 18:30
Kreu i KSHZ-së, Boris Kondarko, dje në konferencën e fundit për mediat njoftoi se sipas të dhënave të përpunuara deri në ora 18:30 në mbarë territorin e vendit të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 803.090 qytetarë apo 46,65 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Të dhënat e KSHZ-së tregojnë se 1.832.415 qytetarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 80 kryetarë komunash dhe anëtarët e këshillave komunal në gjithë vendin dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të Qytetit të Shkupit.
Në këtë proces zgjedhor, 309 kandidatë garuan për postin e kryebashkiakëve ndërsa për këshillat komunal janë paraqitur 576 lista me gjithsej 10.490 kandidatë. Ndryshe, në këto zgjedhje morën pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.
Zgjedhjet e sotme do të pasohen nga raundi i dytë më 2 nëntor, në komunat ku sipas rregullave të zgjedhjeve lokale të vendit, nëse asnjë kandidat për kryetar komune nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë, atëherë dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në raundin e dytë.
Komunat Qendër Zhupë, Mavrovë dhe Rostushë si dhe Vrapçishti, sipas të dhënave të fundit, kanë më pak se një e treta e numrit të regjistruar të votuesve, gjë që sipas kodit zgjedhor, që të mos ketë përsëritje të zgjedhjeve, nevojitet që të paktën një e treta e votuesve të regjistruar në komunën e caktuar të dalin të votojnë.
Në Qendër Zhupë deri në orën 18:30 kanë votuar 21,61 për qind, Mavrovë dhe Rostushë 28,58 për qind dhe Vrapçisht 21,30 për qind, por KSHZ-ja në rezultatin zyrtar do të njoftojë se në cilat komuna në mbarë vendin do të zhvillohet raundi i dytë dhe nëse do të përsëriten në një afat brenda 60 ditëve.
Këto ishin zgjedhjet lokale të teta në Maqedoninë e Veriut, pas atyre të viteve 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.