Fatjon Cuka
21 prill 2020•Përditësim: 22 prill 2020
Me konfirmimin e 25 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur gjithsej në 609, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë testuar 242 persona të dyshuar me COVID-19, ndërsa nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 25 raste pozitive.
“Deri në këto momente janë testuar 6.017 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 609 raste. Aktualisht në vendin tonë janë 238 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave zyrtare të ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit, 18 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 345.
Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat e shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Gjatë kësaj jave, përveç zgjatjes së orarit të lëvizjes, institucionet kanë vendosur edhe zgjerimin e listës së bizneseve që mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre.