Elena Teslova
03 shtator 2026•Përditësim: 03 shtator 2026
Ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, zhvilloi sot vizitën e tij të parë të veçantë dypalëshe në Ukrainë, njoftoi Ministria e Jashtme ukrainase, transmeton Anadolu.
Jaishankar u takua në Kiev me ministrin e Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, me të cilin diskutoi përpjekjet për paqe ndërkombëtare, sigurinë në Detin e Zi dhe marrëdhëniet dypalëshe, njoftoi ministria në një deklaratë.
Sybiha e informoi Jaishankarin për atë që e përshkroi si “përshkallëzim të sulmeve ruse”, përfshirë sulmet ndaj anijeve, porteve ukrainase dhe infrastrukturës portuale.
Ministrat diskutuan për procesin e paqes dhe mundësinë e përfshirjes më të madhe të Indisë në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit.
“Kryeministri Modi kohët e fundit tha në praninë e Putinit se është koha t’i jepet fund luftës së pafund. Ne e mbështesim këtë qëndrim. Ukraina është e gatshme t’i japë fund luftës dhe ka propozime realiste. Është koha të kalojmë te diplomacia”, tha Sybiha.
Ndërkohë, India përsëriti thirrjen e saj për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.
“Zgjidhjet nuk do të vijnë nga fusha e betejës”, tha ministri i Jashtëm indian në një konferencë për media pas takimit, duke shtuar se u takon palëve të përfshira të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës.
“Nëse India mund të ndihmojë në çfarëdo mënyre, ne jemi të gatshëm", tha ministri. Ai theksoi se një shtetas indian u vra në një sulm në Kiev dy ditë më parë.