Kulturë, BALLKANI

Shqipëri, mbahet paneli me temë "Mesazhi universal i Yunus Emresë"

Në panelin e organizuar nga Instituti "Yunus Emre" Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Ballkanike të Universitetit New York Tirana, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke dhe studiues nga disa vende

Fatjon Cuka   | 20.10.2021
Shqipëri, mbahet paneli me temë "Mesazhi universal i Yunus Emresë" Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në Shqipëri është mbajtur paneli me temë "Mesazhi universal i Yunus Emresë", organizuar nga Instituti "Yunus Emre" Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Ballkanike të Universitetit New York Tirana, universitet i Fondacionit Turk Maarif, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke dhe studiuesve nga disa vende, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitet u shpreh i kënaqur që merr pjesë në këtë panel të organizuar në kuadër të Vitit të Yunus Emresë dhe Turqishtes, duke shtuar se poeti Yunus Emre ka lënë gjurmë të thella.

“Rreth tetë shekuj të plotë më parë, me poezitë e tij me tematikë të dashurisë, tolerancës dhe paqes, ai iu drejtua njerëzve dhe hodhi në Anadoll idenë e parë të humanizmit, që u zhvillua në periudhën e Renesancës në Evropë”, tha Yörük.

Ai theksoi se Yunus Emre tejkaloi kufijtë e gjeografisë ku veproi dhe arriti të fitojë vend edhe në trashëgiminë kulturore të përbashkët të gjithë njerëzimit. Yörük tha se poezitë e Yunus Emresë lexohen edhe në vendet e Ballkanit, si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Drejtori i Institutit "Yunus Emre" në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, tha se arsyeja e takimit të sotëm ishte përkujtimi i Yunus Emresë. “Unë dua ta përshkruaj Yunus Emrenë si mjek i zemrave”, tha Demirbaş, duke shtuar se praktikimi i mesazheve të Yunus Emresë mund të ndihmojë në largimin e vuajtjeve në botë.

Drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, po ashtu u shpreh i lumtur që mori pjesë në këtë aktivitet, të cilën e cilësoi sa të rëndësishëm, aq edhe të kuptimtë. Siç theksoi ai, Yunus Emre përfaqëson universalizmin dhe zë një vend të rëndësishëm në historinë e kulturës dhe civilizimit.

Prof. dr. Nertila Gjini, rektore e komanduar e Universitetit New York Tirana, tha se ky aktivitet shënon një hap domethënës që evidenton kontributet e universitetit në drejtim të ndërkombëtarizmit të kërkimit shkencor dhe sipas saj synon të ndërtojë ura të reja komunikimi mes brezave, vendeve dhe kulturave.

Prof. Asoc. Dr Lindita Xhanari Latifi, drejtoreshë e Institutit të Studimeve Ballkanike, në Universitetin New York në Tiranë, në kumtesën e saj theksoi se Yunus Emre e kreu detyrën e tij historike në mënyrën më të mirë të mundshme.

"Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, thekson se: 'Poeti, sufisti dhe mendimtari i madh turk Yunus Emre, me mesazhet e tij që tejkalojnë epokat, është gjithashtu bartës i turqishtes sonë të bukur. Turqishtja me poezitë e tij u rilind dhe u rrënjos në këtë gjeografi, duke fituar një identitet të ri si gjuhë kuptimplotë që shpreh dashuri'", tha ajo.

Behixhudin Shehapi, historian i artit nga Maqedonia e Veriut, në fjalën e tij me temë "Fryma universale e Yunus Emresë" tha se poeti Yunus Emre me porosinë e tij universale dhe me dashurinë ndaj njerëzve, në mënyrë të fuqishme ka kontribuar për njohjen e fillimeve të kulturës osmane në Ballkan.

"Fjalët e Yunus Emresë ‘Ejani të njihemi, të takohemi, të lehtësohemi, ta duam botën e cila nuk do t’i mbetet askujt’, u bënë slogan i njohur në të gjitha kohët dhe kulturat", theksoi Shehapi.

Poeti nga Kosova Zeynel Beksaç, në kumtesën e tij u shpreh se të lexosh Yunusin do të thotë të ankorosh në ndalesat e paqes universale. "Kuptimi i Yunusit është të ndikosh vëllazërinë, paqen, miqësinë dhe tolerancën. Yunusi është një oqean", tha Beksaç.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın