Shqipëri, mbahet sërish protestë antiqeveritare
Protesta e emërtuar si “Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve”, është mbajtur para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, sipas PD-së kundër rasteve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe kundër mohimit të fjalës së opozitës në parlament
Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur sërish një protestë antiqeveritare, organizuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), raporton Anadolu.
Protesta e emërtuar si “Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve”, është mbajtur para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.
Qindra qytetarë kanë protestuar, sipas organizatorëve, kundër rasteve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe kundër mohimit të fjalës së opozitës në parlament.
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij ka akuzuar zyrtarët për shpërdorim të fondeve publike dhe sipas tij mungesë përgjegjësie morale.
Berisha ka theksuar se zëri i popullit duhet të dëgjohet dhe se sipas tij askush nuk mund të ndalojë "betejën për drejtësi dhe llogaridhënie".
"Ne do mblidhemi këtu, ky është sheshi ynë, ky është sheshi i lirisë", është shprehur ndër të tjera Berisha.
Gjatë protestës mbajtën fjalime edhe deputetë të opozitës dhe qytetarë, ndërsa në pankarta u shfaqën mesazhe kundër qeverisë dhe përfaqësuesve të saj.
PD-ja ka paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në javët në vazhdim.
Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore shtesë, ndërkohë nuk u shënuan incidente.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
