Abdula Berisha
03 Maj 2019•Përditësim: 04 Maj 2019
Me rastin e Dita Botërore e Lirisë së Mediave, zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministri pa resor përgjegjës për Llogaridhënie dhe Transparencë i Maqedonisë, Robert Popovski dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, mbajtën një konferencë për media ku uruan Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, raporton Anadolu Agency (AA).
Zv/kryeministri Bujar Osmani tha se puna e gazetarëve është vlerë themelore mbi të cilën bazohen shoqëritë demokratike dhe liberale, si dhe "avancon zhvillimin civilizues njerëzor".
"Unë jam i krenar dhe i kënaqur për lëvizjen para të lirisë së shprehjes dhe është një argument i rëndësishëm që e shfrytëzojmë në Bruksel dhe para vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për përgatitjen e vendeve në përmbushjen e standardeve për fillim të bisedimeve", tha Osmani.
Ministri Robert Popovski gjatë fjalës së tij ripërsëriti zotimin se përfaqësuesit e qeverisë nuk do të ndërhyjnë në punën e mediave.
"Sot, ju sigurojmë, kjo qeveri asnjëherë nuk do të ndërhyjë në punën e mediave. Kjo qeveri në mënyrë të plotë i prezanton politikat para publikut dhe është maksimalisht e hapur", tha Popovski, duke shtuar se qeveria do të bëjë gjithçka që është e mundur që në bashkëpunim me përfaqësuesit e mediave, të përmirësojë ambientin dhe kushtet e punës së gazetarëve.
Ministri Damjan Mançevski rikujtoi se vitin e kaluar është miratuar Ligji për shërbime audio dhe audiovizuele, që sipas tij, është bazamenti i profesionalizmit dhe depolitizimit të mediave.
Mançevski foli edhe për sulmet ndaj gazetarëve, ku tha se "të gjithë ata që do të marrin guxim për të sulmuar gazetarë gjatë kryerjes së detyrës, do të ndëshkohen".
"Nga 1 qershori i vitit 2017 deri sot, janë zgjidhur të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, që kanë ndodhur pas 1 qershorit (2017). Në pjesën e sulmeve të vitit 2018, në krahasim me vitin 2017, edhe në raportin e 'Reporterëve pa Kufi' është vërtetuar se për tre herë është më i ulët numri i sulmeve të regjistruara ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së punës së tyre", tha Mançevski.
Dita Botërore e Lirisë së Mediave në vitin 1993 u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe më 3 maj shënohet çdo vit në mbarë botën.