BALLKANI

Rifillojnë aktivitetet fetare në xhamitë e Shqipërisë

Duke filluar nga sot, do të rifillojnë aktivitetet fetare nëpër xhamitë e të gjithë Shqipërisë në bazë të një protokolli të caktuar të masave

Fatjon Cuka  | 18.05.2020 - Përdıtësım : 19.05.2020
Rifillojnë aktivitetet fetare në xhamitë e Shqipërisë Foto: AA/Arhiv

Tiranë

Në Shqipëri është vendosur që të rifillojnë aktivitetet fetare në xhamitë e vendit, që u pezulluan prej më shumë se dy muaj, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke filluar nga sot, do të rifillojnë aktivitetet fetare nëpër xhamitë e të gjithë Shqipërisë në bazë të një protokolli të caktuar të masave.

Ndërkohë, myftinitë duhet që të marrin masat e nevojshme për faljen e namazit të Fitër Bajramit nëpër xhami, duke respektuar protokollin e masave.

Protokolli i masave përfshin dezinfektimin e xhamive para se të fillojë frekuentimi, marrja e abdesit në shtëpi, mbajtja e maskës dhe e dorezave, mbajtja e distancës fizike gjatë ritualeve dhe masa të tjera. Sipas protokollit të masave, personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami, si dhe personat me sëmundje kronike dhe nuk lejohen grupmoshat nën 12 vjeç si dhe mosha mbi 65 vjeç.

Gjithashtu është i ndaluar qëndrimi në xhami para dhe pas ritualeve si dhe prekja e sendeve dhe librave, ndërsa është vendosur që hytbeja të mos jetë më shumë se 10 minuta dhe hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.

Kujtojmë se aktualisht në Shqipëri janë gjithsej 948 qytetarë të konfirmuar me COVID-19, ku 190 persona janë aktiv dhe janë shëruar 727 pacientë, ndërkohë gjithsej 31 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi.

Për shkak të COVID-19 në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në disa qytete.

Prej disa javësh ka filluar zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset. Duke filluar nga sot, ka një hapje të pjesshme të gjimnazeve vetëm për maturantët, të cilët do të zhvillojnë lëndët që janë provime kombëtare të maturës.

Gjithashtu nga sot janë hequr kufizimet e lëvizjes në disa qytete, janë hapur baret dhe restorantet vetëm në ambiente të hapura dhe janë hapur muzetë, bibliotekat dhe arkivat, si dhe lejohen stërvitjet e sportistëve në ambiente të hapura.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.