Agim Sulaj
18 Prill 2021•Përditësim: 19 Prill 2021
Qeveria e Kosovës ka vendosur masa të reja kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton komunikata nga Qeveria, “qytetari i huaj që hyn në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit”.
Nga ky kusht përjashtim bëjnë qytetarët e huaj që hynë në Kosovë përmes aeroportit apo pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore në mënyrë të njëjtë, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore; transportuesit profesionistë; qytetarët që kalojnë përmes transportit të organizuar; diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë dhe familjarët e tyre si dhe personi që ka dëshmi për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.
Sipas vendimit të ri të Qeverisë, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë nga ora 10 e 30 e mbrëmjes deri në orën 5 të mëngjesit me orë policore. Ky orar vlen përveç rasteve të natyrës urgjente, qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë, si dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike dhe operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit, e të cilët janë të pajisur me leje të veçantë nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit. Por, të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskurzionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.
Gastronomia do të lejohet të punojë deri në orën 10 të mbrëmjes ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës policore, pas pajisjes me leje të veçantë nga ATK. Gjithashtu, qendrat tregtare të cilat kanë qenë të mbyllura deri më tani do të lejohen të zhvillojnë veprimtarinë duke respektuar me përpikëri masat sipas udhëzuesit të veçantë për qendrat tregtare.
Që nga fillimi i përhapjes së pandemisë së COVID-19 në Kosovë janë regjistruar 101,517 pacientë me koronavirus, ku prej tyre 2,072 kanë vdekur, ndërsa prej tyre 87.012 janë shëruar.