Agim Sulaj
30 Shtator 2023•Përditësim: 01 Tetor 2023
Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me "lëvizjen e njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës", transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të Qeverisë, ekzekutivi kosovar me vëmendje dhe vigjilencë ka ndjekur zhvillimet e fundit në këtë aspekt, derisa ka theksuar se lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tri drejtime të ndryshme.
"Njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas të njëjtit burim, njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë ndërsa në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.
Qeveria ka theksuar se shumë herë ka ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe ka theksuar faktin, "tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Kosovës".
Tutje ajo thotë se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me SHBA-në dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i SHBA-së ndaj kësaj qasjeje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë.
"I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm", thuhet në reagimin e Qeverisë.
Në këtë reagim është përmendur edhe ballafaqimi i armatosur në veri të vendit më 24 shtator ku thuhet se "pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”.
Në fund të këtij njoftimi Qeveria ka thënë se institucionet e Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të Kosovës.
Shqetësimin e tyre për vendosjen e trupave serbe pranë kufirit me Kosovën e kanë shprehur edhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE).