Fatjon Cuka
30 Shtator 2023•Përditësim: 01 Tetor 2023
Nën kujdesin e Zyrës së Këshilltarit të Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë është organizuar një program me rastin e përkujtimit të ditëlindjes së Profetit Muhamed, raporton Anadolu.
Në aktivitetin e organizuar në ambientet e kampusit të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT) ishin të pranishëm Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Institutit "Yunus-Emre" për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, dr. Adem Gerlegiz, këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës turke në Prishtinë, Bünyamin Albayrak dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Atay tha se shpreson që në të ardhmen një program i tillë dhe të tjerë si ky program të bëhen në Xhaminë e Namazgjasë, e cila është ndërtuar me kontributin e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes (Dijanet) dhe Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes.
"Ndihem i lumtur që ndodhem këtu, për të nxjerrë mësime nga thëniet e Pejgamberit", u shpreh ambasadori turk.
Ambasadori Atay u ndal edhe tek sulmet ndaj Kuranit në disa vende, duke theksuar se edhe Shqipëria duhet të reagojë në lidhje me këta sulme.
I ftuar për të folur në aktivitet ishte këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës turke në Prishtinë, Bünyamin Albayrak, i cili në fjalën e tij tha se ai që respekton Profetin Muhamed ka respektuar Allahun.
"Gjëja më e mirë e këtij programi është që të lidhemi me Pejgamberin tonë, të marrim dhe kuptojmë mesazhin e tij, ta zbatojmë në jetën tonë", tha Albayrak.
Albayrak u shpreh se muslimanët kur kanë pas udhëtuar nëpër botë për tregti nuk kanë mbartur vetëm mallra, por kanë përçuar sipas tij edhe kulturën, moralin dhe njohuritë të mësuara nga Pejgamberi, duke u bërë shembull për njerëzit.
Një fjalë përshëndetëse në program mbajti edhe këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, dr. Adem Gerlegiz.
Gjatë aktivitetit ku ishin të pranishëm edhe qytetarë shqiptarë dhe turq u lexua Kuran dhe u kënduan ilahi.