Presidenti Begaj: Bashkëpunimi rajonal, instrumenti kryesor për integrimin e rajonit në BE
Në Shqipëri po mbahet sot samiti i liderëve të vendeve të Procesit Bërdo-Brijuni

Tiranë/Kavajë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
Në Shqipëri po mbahet sot samiti i liderëve të vendeve të Procesit Bërdo-Brijuni, ndërkohë në hapje të samitit, Begaj, së bashku me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq kanë pritur liderët pjesëmarrës në samit, si presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryesuesin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiq, si dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq.
Në fjalën e tij në hapje të samitit, presidenti Begaj u shpreh se së bashku me Slloveninë dhe Kroacinë, si bashkëkryesuese të presidencës së Procesit Bërdo-Brijuni, vlerësojnë forcimin e rolit të kësaj platforme si një mekanizëm i rëndësishëm rajonal.
"Temat që do të diskutohen sot lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, planin e rritjes të Bashkimit Evropian, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë se kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë në vendet tona. Shqipëria mbështet dialogun rajonal me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit evropian", tha Begaj.
Ai ka theksuar se për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor për integrimin e rajonit në BE. "Duhet të vazhdojmë të shkëmbejmë eksperiencat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme nga ky proces i Bërdo-Brijunit", tha ndër të tjera Begaj.
Në përfundim të punimeve të samitit, Begaj, Musar dhe Milanoviq do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.
Procesi i Bërdo-Brijunit është një nismë rajonale e iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia dhe pjesë janë dhe shtete të tjera nga Ballkani.