BALLKANI

"Politizimi, problemi kryesor i administratës publike në Kosovë"

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog tha se vitin e kaluar është bërë progres në dixhitalizimin e administratës publike në Kosovë

Agim Sulaj  | 18.04.2024 - Përdıtësım : 19.04.2024
"Politizimi, problemi kryesor i administratës publike në Kosovë" Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Në Prishtinë është mbajtur konferenca me temë "Reforma në Administratën Publike në Kosovë, sfidat, progresi dhe rruga përpara", raporton Anadolu.

Në këtë konferencë morën pjesë shef i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GPLS), Arbresha Loxha Stublla dhe përfaqësues tjerë të institucioneve.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, në fjalën e tij theksoi se vitin e kaluar është bërë progres në dixhitalizimin e administratës publike në Kosovë. Ai tha se Kosova duhet të përshpejtojë punën për funksionalizimin e agjencive të pavarura, ndërsa theksoi se korniza ligjore ende nuk i merr parasysh konventat e BE-së në ligjet kyçe.

"Shfrytëzoj rastin të ngris edhe njëherë zërin për brengat tona, për Ligjin e ri për zyrtarët publikë por edhe të pagave. Për fat të keq nuk janë marrë parasysh komentet dhe rezultatet negative që priten mund të bëjnë që shërbyesit civilë t'i nënshtrohen edhe korrupsionit", theksoi Szunyog.

Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha se janë të përkushtuar për një administratë efikase dhe llogaridhënëse e cila plotëson nevojat e qytetarëve. Ai shtoi se nga raportet ndërkombëtare mbi vlerësimet e administratës publike në Kosovë, një nga mangësitë e cila përmendet çdo vit është politizimi i saj.

"Ajo që përsëritet çdo vit është problemi me politizimin e administratës publike. Dhe, ne përmes politikës tonë me Ligjin për zyrtarë publikë synojmë pikërisht depolitizimin e administratës. Pra, jemi të fokusuar të ndërtojmë një administratë që funksionon mbi parimet e meritokracisë, transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit", theksoi Dobra.

Raporti i Progresit i BE-së për Kosovën në vitin 2023 ka evidentuar se administrata publike nuk është reformuar.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın