MPJ e Kosovës po punon për lirimin e Arbnor Spahiut nga Serbia
"Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd dhe të gjithë trupin diplomatik në Kosovë", thuhet në njoftim

Prishtinë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) është duke punuar për lirimin e Arbnor Spahiut, ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës pas arrestimit të tij nga autoritetet serbe, transmeton Anadolu.
MPJD nëpërmjet një njoftimi për media bëri të ditur se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit të Arbnor Fatmir Spahiut i cili u arrestua më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen e tij, duke u kthyer nga Austria.
Aktualisht, Spahiu ndodhet në Qendrën e paraburgimit në Suboticë, pasi më 9 qershor, rreth orës 20:00, ai doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
"Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj Spahiut kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij", thuhet në njoftim.
MPJD njofton se përfaqësuesi i Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiut, Arianit Koci, do të udhëtojnë më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së ambasadorit Jetish Jashari tek Spahiu në Qendrën e paraburgimit në Suboticë dhe vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse.
"Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd dhe të gjithë trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani", thuhet në njoftim.