BALLKANI

Ministri Çavuşoğlu vizitë në Shqipëri

Gjatë ditës së sotme ministri Çavuşoğlu, ka vizituar Universitetin New York Tirana, të Fondacionit Turk Maarif dhe ka realizuar një takim në Tiranë me qytetarët turq dhe zyrtarët e institucioneve turke në Shqipëri

Fatjon Cuka   | 11.02.2020
Ministri Çavuşoğlu vizitë në Shqipëri  ( Fatih Aktaş - Anadolu Agency )

Tiranë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të vizitës së tij zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë ditës së sotme ministri Çavuşoğlu, ka vizituar Universitetin New York Tirana, të Fondacionit Turk Maarif dhe ka realizuar një takim në Tiranë me qytetarët turq dhe zyrtarët e institucioneve turke në Shqipëri.

Kryediplomati turk ishte pjesë e ceremonisë së hapjes së zyrës së re të Qendrës Ballkanike të Kërkimeve (Balkan Research Center-BRC), e cila do të funksionojë në kuadër të Universitetit New York Tirana (UNYT), ndërsa pjesë e ceremonisë ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të Fondacionit Turk Maarif, drejtues të universitetit, studiues dhe studentë.

Sipas njoftimit nga UNYT në fjalën e tij në ceremoni, ministri Çavuşoğlu, foli mbi përparësitë e politikës së jashtme turke mbi stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit.

Qendra BRC synon të kontribuojë për bashkëpunimin përmes shkëmbimit të mendimeve akademike, hulumtimit dhe ekspertizës në fushën e kërkimeve në Ballkan. Gjithashtu kjo qendër në të ardhmen do të organizojë aktivitete të ndryshme duke përfshirë shkëmbimin e studentëve, leksione, seminare, simpoziume dhe tryeza diskutimi.

Ndërkohë, në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Turqisë, në lidhje me vizitën e ministrit Çavuşoğlu në Shqipëri thuhet se "Me Shqipërinë vëllazërore do të diskutohen marrëdhëniet bilaterale si dhe mundësitë e bashkëpunimit. Do të ndahen përvojat mbi proceset e pranimit në BE, ndërsa pikëpamjet mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare do të shkëmbehen gjatë vizitës".

Ministri Çavuşoğlu, gjatë ditës së nesërme do të realizojë takime me zyrtarë të lartë të Shqipërisë, si me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe zyrtarë të tjerë.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın