Ekonomi, BALLKANI

Mbahet Forumi i Biznesit Shqipëri-Kroaci

Në fjalën e saj ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, tha se forumi i sotëm është fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm afatgjatë

Saimir Alija  | 18.07.2019 - Përdıtësım : 19.07.2019
Mbahet Forumi i Biznesit Shqipëri-Kroaci ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë
Në Tiranë është mbajtur Forumi i Biznesit Shqipëri – Kroaci, i cili kishte në fokus zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, me pjesëmarrjen e dhjetëra kompanive shqiptare dhe kroate, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në aktivitetin e organizuar nën kujdesin e dhomave të industrisë dhe ekonomisë nga të dy vendet ishin ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, ministri kroat i Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë, Darko Horvat, zyrtarë të tjerë nga të dy vendet dhe përfaqësues të bizneseve shqiptare dhe kroate.

Në fjalën e saj ministrja Denaj tha se forumi i sotëm është fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm afatgjatë.

“Marrëdhëniet mes vendeve tona nuk janë në ato nivele ku potencialet ekonomike dhe vullnetet e palëve ekzistojnë. Në vitin 2018 importi me Kroacinë është rritur me 2 për qind, ndërkohë që eksporti është rritur me 54 për qind. Janë rreth 45 kompani private në këtë forum biznesi dhe jam e lumtur për interesin e shprehur për të investuar në Shqipëri”, tha Denaj. Sipas saj, prezantimi që do të bëjë Agjencia Shqiptare e Zhvillimit do të jetë një mundësi e parë e njohjes së potencialeve që ka Shqipëria për të ofruar.

Duke folur për politikat e qeverisë për klimën e biznesit, Denaj theksoi se reformat në kuadrin rregullator synohen të jenë në linjë me rekomandimet e Bashkimit Evropian (BE).

"Sjell në vëmendje potencialin që ka turizmi në Shqipëri. Një element i rëndësishëm i lehtësisë fiskale synon ta rrisë atë drejt një niveli elitar turizmi”, deklaroi Denaj.

Në përfundim të fjalës së saj, Denaj tha: “Plotësim i kuadrit të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe Kroacisë, pasi pala shqiptare është e interesuar për të shqyrtuar mundësinë për projektmarrëveshjet dhe protokollet e reja të bashkëpunimit në fushën e investimeve, kulturës, transportit, energjisë dhe turizmit”.

Ajo tha se me ministrin Horvat do të shqyrtojmë mundësinë e firmosjes së një memorandumi bashkëpunimi në fushën e sipërmarrjes dhe investimeve.

Ndërsa ministri kroat, Darko Horvat, në fjalën e tij tha se janë në forum jo vetëm si politikanë, por edhe si një fuqi ekonomike e Kroacisë që të jetë prezente në Shqipëri.

Duke folur për sipërmarrësit shqiptarë të cilët do të shkojnë të bëjnë biznes në Kroaci, Horvat tha se Kroacia do të heqë barrierat administrative dhe do t’iu japë ndihmë financiare investitorëve.

“Kroacia prej disa vitesh ka një zhvillim të madh ekonomik dhe në bashkëpunimin bilateral kemi 10 për qind të rritjes në 2018. Ne duhet të mundësojmë vazhdimësinë e këtij zhvillimi. Kjo sinergji ndërmjet kompanive dhe politikës, do të mundësojë klimën fiskale dhe ligjore e cila do të mundësonte investime cilësore dhe hapje vendesh të reja pune cilësore”, tha ai.

Horvat u bëri thirrje investitorëve shqiptarë që ta analizojnë Kroacinë si një destinacion për investim.

Pas fjalëve përshëndetëse të përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe të delegacionit kroat, aktiviteti vazhdoi me takimet mes bizneseve shqiptare dhe kroate, takime të cilat do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın