Fatjon Cuka
11 Tetor 2022•Përditësim: 12 Tetor 2022
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri ka organizuar forumin e tetë të diskutimit me fokus zhvillimin e medias, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe të organizatave të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, gjatë fjalës së tij në forum tha se është e rëndësishme për institucionet publike që t’i japin medias hapësirën që të marrë dhe transmetojë informacione në mënyrë të lirë dhe sipas tij ky është një gur themeli i parimit të lirisë së shprehjes.
"Që kur është hapur prezenca e OSBE-së 25 vite më parë dhe tashmë 2 vite që kam qenë unë në drejtimin e prezencës në Shqipëri, prezenca ka nisur këtë rrugëtim me partnerët tonë institucionalë dhe me anëtarët e komunitetit të medias drejt qëllimeve që të përmirësojmë të drejtat dhe mbrojtjen e gazetarëve, për të përmirësuar cilësinë e raportimit të medias, për të ndihmuar brezin e ri të gazetarëve dhe programet universitare për gazetarët dhe për të mbështetur transmetuesin publik", u shpreh Del Monaco.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Albana Tole, gjatë fjalë në aktivitet mbajtën e forumit e cilësoi të një rëndësie të veçantë, sipas saj, për të nxjerrë në pah arritjet e deritanishme dhe sfidat në këtë fushë.
"Përmirësimi i politikave në favor të rritjes së mirëqenies shoqërore është i lidhur shumë ngushtë me peshën që ne i japim fjalës së lirë dhe të drejtës së medias", tha Tole.
Këtë vit forumi kishte në fokus lirinë e shtypit, zhvillimin e medias në Shqipëri, sigurinë e gazetarëve dhe sfidat e krijuara nga dezinformimi.
Sipas OSBE-së, forumi shërben si platformë dialogu mes medias, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.