BALLKANI

Kosova me 18 sportistë në Festivalin Olimpik "Baku 2019"

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, tha se është e rëndësishme që në këtë festival olimpik që po mbahet në Azejberxhan, shtet që nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës, kjo e fundit prezantohet e barabartë sikurse vendet tjera pjesëmarrëse

Agim Sulaj  | 18.07.2019 - Përdıtësım : 19.07.2019
Kosova me 18 sportistë në Festivalin Olimpik "Baku 2019" ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka prezantuar emrat e 18 sportistëve të rinj të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në "European Youth Summer Olympic Festival – EYOF" (Lojërat Olimpike verore për të rinj), raporton Anadolu Agency (AA).

Tetëmbëdhjetë sportistët e prezantuar, nga ta 10 vajza dhe 8 djem, janë nga pesë sporte të ndryshme pjesëmarrëse në këtë garë. Nga xhudo, atletika, mundja, noti dhe tenisi.

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, tha se është e rëndësishme që në këtë festival olimpik që po mbahet në Azejberxhan, shtet që nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës, kjo e fundit prezantohet e barabartë sikurse vendet tjera pjesëmarrëse.

Hasani u shpreh optimist në suksesin e të rinjve kosovarë në këtë garë, ndërsa i pyetur nga AA se cila është pika e fortë e Kosovës në këtë garë, ai ka thënë se rezultatet flasin për xhudon.

“Nëse e shikojmë historikisht edhe në të kaluarën, nga xhudoja kemi rezultatet më të mira edhe te seniorët por edhe te kategoritë e reja. Por, befasi e këndshme e këtyre ditëve nga Kampionati Ballkanik është Muhamet Ramadani i cili u stolis me medaljen e artë në hedhjen e gjyles. Distanca që ky e hedhi gjylen është vendi i tretë në Evropë, kështu që, pritshmëritë i kemi reale edhe që të kemi rezultate të mira edhe nga atletika”, tha Hasani.

Vetë sportisti Muhamet Ramadani që do të përfaqësojë Kosovën në disiplinën e hedhjes së diskut dhe gjyles, u shpreh i lumtur optimist se nga festivali do të kthehet me medalje.

Trajneri i ekipit të mundjes në kuadër të Federatës së Mundjes së Kosovës, Ziber Xhoni, konsideroi se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë garë, ndërsa sipas tij, do të mundësojnë rezultate mbresëlënëse.

“Kosova e ka rrugën e hapur. Gjithçka është e mundur, tash varet nga puna e gjithë sportistëve dhe trajnerëve se sa do të tregojnë punën e tyre të cilën e kanë bërë nëpër klube”, tha Xhoni.

Kosova në sportin e xhudos do të përfaqësohet nga Erza Muminoviq, Fationa Kasapi dhe Festim Beqiri, të tre këta me trajner Fatos Tabakun. Në atletikë vendin do ta përfaqësojnë Muhamed Ramadani, Leon Thaçi, Albina Bojaxhiu dhe Diellza Selaci me trajner Xhavit Tahirin.

Në mundje do të garojnë Urim Qaili e Njomëza Krasniqi me trajner Ziber Xhonin. Në not do të garojnë Vigan Bytyqi, Olt Kondinolli, Hana Fejzullahu, Jona Macula dhe Elona Zhugolli me trajner Ardian Hamitin.

Ndërsa në tenis Kosova do të përfaqësohet në këto gara nga Melos Nallbani, Fresk Sylhasi, Vesa Gjinaj dhe Forta Morina me trajnerin e tyre Festim Ibrahimi.

Kjo është hera e tretë që Kosova po merr pjesë në Festival Olimpik për të rinj. Në vitin 2015 ajo ka marrë pjesë në garat që janë zhvilluar në Tbilisi të Gjeorgjisë, e po ashtu ka qenë pjesëmarrëse edhe në Gyor të Hungarisë në vitin 2017.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın