Saimir Alija
13 tetor 2019•Përditësim: 14 tetor 2019
Për të katërtin vit radhazi, është organizuar Maratona e Tiranës, ku morën pjesë rreth 2500 vrapues, profesionistë dhe amatorë, nga mbi 42 shtete të ndryshme të botës, raporton Anadolu Agency (AA).
E organizuar nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe e certifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF), maratona këtë vit ishte në tre kategori të ndryshme, “We too”, “Half Marathon” (21,0975 km) dhe “Tirana 10K”.
TIRANË (AA) - Për të katërtin vit radhazi, është organizuar Maratona e Tiranës, ku morën pjesë rreth 2500 vrapues, profesionistë dhe amatorë, nga mbi 42 shtete të ndryshme të botës, raporton Anadolu Agency (AA) ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )
Fitues i garës së gjysmë maratonës (21,0975 km) për meshkuj doli sportisti nga Kenia, Laban Cheruiyot, i cili e realizoi për kohën 01:06:44, ndërsa për femra fituese doli një tjetër sportiste nga Kenia, Christine Moraa Oigo, e cila e realizoi për kohën 01:20:32.
Në garën Tirana 10K fitues për meshkuj doli sërish një sporti tjetër nga Kenia, Hillary Kiptum Maiyo Kimaiyo me kohën 00:29:57. Ndërsa, për femra fituese u shpall rekordmenia shqiptare, Luiza Gega me kohën 00:33:42, e cila arriti të thyejë sërish rekordin kombëtar me 25 sekonda.
Në kategorinë “We too” që i dedikohej personave me aftësi të kufizuar fitues u shpall Dovlet Gjangolli nga Shqipëria. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve tha se sot Tirana tregoi qytetari.
“Sot është një ditë kur qyteti merr frymë. Kemi ndaluar makinat nga qendra e qytetit. Është një mënyrë për të kujtuar që në fakt për miliona vite njerëzimi ka ecur dhe ka vrapuar. Është një kthim në origjinë për t’u investuar në më shumë shëndet. Qyteti ka asete plot, ka ndërtesa, pemë, sheshe. Por, aseti numër një janë njerëzit. Ndaj, shpresoj shumë që t’i kemi sa më të shpeshta këto aktivitete", u shpreh Veliaj.
Me këtë maratonë synohet që të përfshihet kryeqyteti i Shqipërisë në hartën e maratonave që organizohen në shumë qytete të botës. Për mbarëvajtjen e kësaj maratone Policia Bashkiake e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, morën një sërë masash.