Furkan Abdula
21 Nëntor 2022•Përditësim: 22 Nëntor 2022
Me sloganin "Kur bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve, ne jemi të gjithë një ekip" në Maqedoninë e Veriut është shënuar Dita Botërore e Fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktiviteti u organizua nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM), ku morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, disa nga futbollistët e kombëtares së futbollit të Maqedonisë së Veriut, ambasadorët, fëmijët dhe prindërit e tyre, si dhe të ftuar të tjerë.
Kovaçevski në fjalën e tij theksoi se sivjet Dita Botërore e Fëmijëve përkon me fillimin e Kupës së Botës në futboll.
"Të gjithë e dini se vitet e fundit kanë qenë vite sfidash, së pari pandemia COVID-it, më pas kriza ekonomike, lufta në Ukrainë, kriza energjetike dhe sigurisht që la pasoja të mëdha, veçanërisht jo vetëm tek familjet, por më e rëndësishmja dhe më së shumti tek fëmijët", tha ai.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se fëmijët dhe të rinjtë ishin më të prekurit nga kriza e pandemisë COVID-it, të mësuarit dhe miqësitë e tyre realisht ndryshuan plotësisht dhe se me këtë ndryshoi edhe jeta e tyre.
"Unë besoj fort se sfidat na bëjnë më të fortë dhe se kur lundrojmë nëpër ujëra të turbullta, vetëm me një qëndrim të guximshëm dhe proaktiv ndaj jetës arrijmë sukses. Ne duam t'ua përcjellim këtë qasje më të rinjve dhe në këtë ditë t'u themi me zë të lartë që të jenë zëdhënës dhe mbrojtës të të drejtave të tyre. Dita Botërore e Fëmijëve është kujtesa jonë për detyrimet që kemi si shoqëri ndaj fëmijëve tanë, veçanërisht ndaj atyre që kanë pozicion shumë të ndjeshëm", shtoi Kovaçevski.
Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patrizia DiGiovanni, nga ana e saj, tha se UNICEF-i në bashkëpunim me qeverinë dhe partnerët, çdo vit e shënon Ditën Botërore të Fëmijëve.
"Këtë vit, Dita Botërore e Fëmijëve shënohet në të njëjtën ditë kur fillon Botërori në futboll. Jam e lumtur që përdor këtë momentum për t'u shoqëruar si një ekip, për të qëndruar pranë fëmijëve dhe të rinjve për të vepruar, për të krijuar një botë më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për çdo fëmijë", tha ajo.
"Çdo gjë fillon me kujdes shëndetësor cilësor për çdo fëmijë, duke përfshirë të drejtën e fëmijëve për t'u mbrojtur nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina. Ne kemi nevojë për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës për çdo fëmijë", shtoi ajo.
Ndërsa drejtori i FFM-së, Deni Masev, theksoi se në partneritet me UNICEF-in, gjatë ngjarjes më të madhe të futbollit në botë, Botërorit në Katar, kanë mundësi për të dërguar një mesazh të përbashkët për përfshirje dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.
"Futbolli do të thotë të përhapësh miqësi, barazi, promovim të mënyrës se shëndetshme të jetesës, si dhe kulturë sportive. Inkurajojmë të gjithë të rinjtë që të marrin pjesë aktive në aktivitetet që përcjellin mesazhin e pranisë së miqësisë dhe barazisë në terrenet sportive, por edhe në jetën e përditshme", theksoi ai.
"Së bashku përpiqemi të ndërgjegjësojmë publikun për të drejtat e fëmijëve dhe të kujtojmë se çdo anëtar i shoqërisë, çdo profesor, mësues, prind, kryetar i komuniteteve fetare, çdo qeveri, kryeministër, nëpunës civilë, futbollistë apo përzgjedhës, kushdo rreth nesh kontribuon në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve", shtoi Masev.
Pas fjalimeve në kuadër të aktivitetit gjithashtu u luajt një ndeshje miqësore e futbollit.