Betül Yürük
21 Nëntor 2015•Përditësim: 21 Nëntor 2015
GJENEVË (AA) - Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka njoftuar se afërsisht gjysma e popullsisë së varfër në botë përbëhet nga fëmijët dhe se afërsisht 250 milionë fëmijë jetojnë në rajonet e luftës, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e UNICEF-it, Sarah Crowe në një konferencë për mediat në Zyrën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë ka tërhequr vëmendjen se 20 Nëntori festohet si Dita Botërore e të Drejtave të Fëmijëve por se bota ende nuk sillet aspak e drejtë me miliona fëmijë.
Crowe vuri në dukje se që nga fillimi i këtij viti në Evropë kanë mbërritur 214 mijë fëmijë.
"Lufta dhe dhuna vetëm në Irak, Siri dhe Afganistan ka prekur rreth 14 milionë fëmijë. Fëmijët përbëjnë afërsisht gjysmën e popullsisë së varfër në botë dhe se afërsisht 250 milionë fëmijë jetojnë në rajonet e konflikteve", deklaroi zëdhënësja e UNICEF-it, Sarah Crowe.