Admir Fazlagikj
19 Mars 2020•Përditësim: 19 Mars 2020
Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka informuar se në vend janë regjistruar edhe shtatë raste të reja të koronavirusit COVID-19, duke e rritur në 42 numrin e përgjithshëm të pacientëve, transmeton Anadolu Agency (AA)
Në një deklaratë në rrjetet sociale, ministria njoftoi se në kuadër të procesit të skriningut të hershëm të pacientëve, i cili filloi në disa komuna të vendit, sot pasdite janë kryer 30 teste me indikacion më të gjerë dhe tetë teste shtesë që kanë arritur përmes Klinikës së Sëmundjeve Infektive dhe Gjendjeve Fabrile në Shkup.
"Nga 38 persona të testuar, pozitivë në koronavirus janë shtatë persona, tre nga Dibra dhe katër nga Shkupi. Gjithsej 11 raste të reja të koronavirusit janë regjistruar gjatë ditës së sotme. Me këtë, numri i personave të infektuar me virusin në vend deri në ora 21:00 është 42. Gjendja e të gjithë pacientëve është e qëndrueshme. Dy prej pacientëve kanë pneumoni mesatare", thuhet në njoftim.
Deri më tani, një paciente është shëruar nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut.
Ministria tha se aktualisht po kryhen 22 testime të tjera në kuadër të skriningut, për të cilat do të informojnë gjatë ditës së nesërme.