Bota, BALLKANI

Macron në Kroaci: Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në

"Paqja është një prej çështjeve strategjike të BE-së. E di që edhe Ballkani Perëndimor i kushton rëndësi kësaj. Kroacia do të na ndihmojë në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor", tha Macron

Gorana Jakovljevic, Stipe Majic  | 25.11.2021 - Përdıtësım : 26.11.2021
Macron në Kroaci: Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në ( Stipe Majic - Anadolu Agency )

Zagreb

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron shprehu sot kënaqësinë në Zagreb që është presidenti i parë francez që viziton Kroacinë që nga pavarësia e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kjo është një padrejtësi sepse kjo vizitë është në fakt simbol i miqësisë sonë dhe tregon se sa të forta janë lidhjet midis Kroacisë dhe Francës”, tha Macron.

Në një konferencë për media me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, Macron tha se vizita zyrtare dhe partneriteti që pritet të nënshkruajnë do të forconte lidhjet dypalëshe.

Ai theksoi se të dy vendet do të vazhdojnë të punojnë në fusha si siguria, migracioni, kërkimi, të cilat janë projekte të përbashkëta që do të jenë edhe projekte të presidencës franceze të Bashkimit Evropian.

“Këto janë të gjitha sfida të mëdha, gjeopolitike, ekonomike, sociale, shëndetësore dhe sigurisht klimatike, dhe ato janë në qendër të këtij partneriteti dhe asaj që do të bëjmë së bashku në Bashkimin Evropian”, tha presidenti francez.

Ai shtoi se kjo vizitë është një kapitull i ri në marrëdhëniet dypalëshe në fushën e kulturës, ekonomisë, mbrojtjes. Macron rikujtoi se vendi i tij në vitin 2022 do të marrë Presidencës së radhës të BE-së.

"Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në. Paqja është një prej çështjeve strategjike të BE-së. E di që edhe Ballkani Perëndimor i kushton rëndësi kësaj. Kroacia do të na ndihmojë në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor", tha Macron.

“Në radhë të parë ne folëm për prokurimin e avionëve. Është një gjë e madhe për Kroacinë si strategjikisht ashtu edhe financiarisht, por edhe për zhvillimet në rajon dhe në botë, Ukrainë, Rusi. Të gjitha këto janë gjëra që Franca, e cila është aktualisht dhe padyshim e vetmja fuqi bërthamore në BE dhe anëtarja e përhershme e Këshillit të Sigurimit e sheh këtë në një mënyrë që është pak më e gjerë se e jona”, tha Milanoviç.

Presidenti kroat i vlerësoi si të shkëlqyera bisedimet me Macronin, duke u shprehur se kjo do të rezultojë në bashkëpunim strategjik bazuar në një deklaratë që do të nënshkruhet në qeverinë kroate.

"Ky është një fillim i vogël i ri për Kroacinë në disa aspekte", theksoi Milanoviç, duke shtuar se Kroacia mbetet një vend euroatlantik, që do të vazhdojë bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në por gjithashtu se ky është një ndryshim serioz të cilës ata i gëzohen.

Gjatë vizitës së tij në Kroaci, Macron do të nënshkruajë një Partneritet Strategjik me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç dhe siç është paralajmëruar, ministrat e Mbrojtjes, Florence Parly dhe Mario Banozhiç do të nënshkruajnë një kontratë për blerjen e avionëve Rafale.

Macron dhe Plenkoviç vendosën kurora me lule në Monumentin e Atdheut në Zagreb për viktimat e Luftës në Kroaci.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.