Dzihat Aliju
14 Dhjetor 2022•Përditësim: 14 Dhjetor 2022
Kosova ishte dëshmitare e mbylljes së rrugëve me barrikada pas mosmarrëveshjeve të ndodhura me serbët etnikë që jetojnë në veri të vendit, që nga viti 2008 kur shpalli pavarësinë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Barrikadat zakonisht lindën si reagim ndaj operacioneve të Policisë së Kosovës në veri dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Lidhur me këto veprime të serbëve, të cilët kërkojnë zgjidhje për çdo problem duke vendosur barrikada, zyrtarët e Kosovës pohuan se janë të orkestruar nga Serbia, ndërkaq Serbia i mohon këto pretendime.
E para e një varg pengesash që do të vazhdojë si "historia e barrikadave", filloi me barrikadat të cilat u vendosën në vitin 2011 nga ana e grupit "Rojet e Urës" në urën mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës si dhe në 15 lokacione të ndryshme të qytetit.
Ura u shndërrua në një simbol të ndarjes mes shqiptarëve që jetojnë në jug dhe serbëve që jetojnë në veri që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999.
Barrikadat e vendosura mbi urë, u zhvilluan pasi Policia e Kosovës kreu një operacion për të marrë nën kontrollë pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Një ditë pasi u tërhoqën barrikadat në vitin 2014, serbët vendosën vazo betoni mbi urë, gjë që shkaktoi protesta me epilog qytetarë të plagosur dhe automjete të djegura.
Muri që ndante Mitrovicën në dy pjesë
Në kuadër të projektit për rivitalizim të urës mbi lumin Ibër të arritur me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 25 gusht 2015, zyrtarët serbë në Mitrovicë, në dhjetor të vitit 2016 ndërtuan një mur rreth 2 metra.
Projektligji që parashihte rrënimin e murit në fjalë që shkaktoi tensione mes Kosovës dhe Serbisë, u miratua nga Kuvendi i Kosovës kah fundi i vitit 2016 dhe u vendos që të rrënohet në janar të vititn 2017. Muri u rrënua në shkurt të vitit 2017.
Barrikadat
Në maj të vitit 2019, kur Policia e Kosovës arrestoi 19 persona pjesëtarë të policisë së vendit, në mesin e të cilëve edhe serbë etnikë, rrugët u mbyllën me barrikada, por ato u mënjanuan nga ana e forcave të sigurisë së Kosovës.
Në operacion u plagosën 5 policë si dhe civilë që vendosën barrikada në rrugë për parandalimin e zhvillimit të operacionit.
Kurse në shtator të vitit 2021, pasi Kosova filloi zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, duke vendosur aplikim të targave të përkohshme për të gjitha automjetet me targa nga Serbia që hynë dhe qarkullojnë në Kosovë, filluan protesta në veri të vendit.
Në këtë drejtim, rruga që çon në Jarinje dhe Bërnjak u mbyll nga serbët e Kosovës me barrikada.
Pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, barrikadat u hoqën në tetor.
Një ngjarje tjetër me barrikada ndodhi për shkak të masave të Qeverisë së Kosovës në korrik të vitit 2022 për të vendosur reciprocitetin në dokumente nga Serbia dhe riregjistrimin e targave serbe me emërtimet e qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Serbia në targa "RKS".
Më pas qeveria me kushtin e heqjes së të gjitha barrikadave që çojnë në kufijtë me Serbinë, zbatimin e vendimit në fjalë e shtyri për 1 shtator.
Së fundmi, Kosova procesin e riregjistrimit të targave të cilat i konsideron ilegale e shtyri për në prill të vitit 2023, duke njoftuar se fillimisht do të ketë qortime, më pas gjoba dhe në fund do të jepen targa provuese.
Pas një kohe të shkurtër nga ngjarja e fundit, gjatë përgatitjeve të zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ) u sulmuan nga një grup i maskuar më 6 dhjetor.
Pas këtyre ngjarjeve u arrestua ish-polici serb në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq, si i akuzuar për sulmet, gjë që u pasua nga barrikada të vendosura më 10 dhjetor në veri nga serbët.
Gjithashtu u sulmua edhe një patrullë e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rajonin Rudare të Komunës së Zveçanit.
BE-ja, NATO, SHBA-ja dhe Britania e Madhe bënë thirrje për uljen tensioneve në veri të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në deklaratën e saj pas këtyre ngjarjeve tha se zgjedhjet e planifikuara për 18 dhjetor në 4 komunat me shumicë serbe janë shtyrë për në prill të vitit 2023 në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrje sa më e madhe e qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim si dhe kohë e mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri të vendit.