BALLKANI

Kuvendi i Kosovës diskuton problemin e migrimit të qytetarëve

Pas një kërkese nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, seanca ka përfunduar pa ndonjë vendim, por me debat disaorësh

Agim Sulaj  | 11.04.2019 - Përdıtësım : 12.04.2019
Kuvendi i Kosovës diskuton problemin e migrimit të qytetarëve

Prishtinë

Pas më shumë se pesë orësh diskutime në Kuvendin e Kosovës për fenomenin e ikjes së kosovarëve drejt vendeve të Evropës, seanca e thirrur nga opozita ka përfunduar vetëm me debat dhe pa votimin e një rezolute të cilën e propozoi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra deputetë nga pushteti dhe opozita e konsideruan si shqetësim fenomenin e largimit sidomos të të rinjve nga Kosova.

Në emër të LDK-së, si propozuese e kësaj seance, deputeti i kësaj partie, Fidan Rakeliu, i cili po ashtu është edhe kryetar i Forumit Rinor të LDK-së, tha se të rinjtë po ikin nga vendi drejtë vendeve të Evropës për një jetë më të mirë.

“Secili nga ne i kemi të njohura arsyet se pse të rinjtë tanë po largohen nga Kosova. E ajo kryesorja është paperspektiva për një jetë normale, kurse brengat dhe shqetësimet fillojnë që nga cilësia e dobët e arsimit që ofrohet në të gjitha nivelet në vend e deri te problemi kryesor, pamundësia e gjetjes së një vendi të punës pasi të kenë përfunduar nivelet më të larta të studimeve universitare”, tha Rakeliu.

Rakeliu po ashtu theksoi se nga vendi po ikin edhe njerëz me përgatitje të lartë profesionale, siç janë mjekët dhe inxhinierët. Ai kërkoi që të ndërmerren hapa konkretë për punësimin e të rinjve dhe puna të sigurohet në bazë të kualifikimeve dhe jo sipas lidhjeve familjare dhe partiake.

“Unë jam duke kërkuar që të gjitha grupet parlamentare së bashku të propozojnë një Rezolutë për Mbrojtjen dhe Promovimin e Rinisë së Republikës së Kosovës”, tha ai.

Deputeti tjetër i LDK-së, Naser Rugova, tha se të gjithë përfaqësuesit politikë mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë për largimin e madh të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve të kualifikuar.

“Në Kosovë është vrarë shpresa kohëve të fundit, me vendime paradoksale, me punësime, me degradim të sistemit arsimor. Ju lutem, kemi më shumë universitete publike, sesa shkolla profesionale”, tha Rugova.

Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se partia e tij mbështeti këtë seancë sepse është një temë shumë e rëndësishme për Kosovën.

Krasniqi tha se nëse nga Kosova më herët njerëzit iknin ilegalisht, tash problemi është me migrimin e ashtuquajtur legal.

“Të gjithëve na kujtohet ndoshta që kriza më e madhe kur është dashur të trajtohet dhe është trajtuar kjo çështje ka qenë viti 2015, kur kanë qenë me dhjetëra mijëra njerëz që e kanë lëshuar Kosovën. Fatmirësisht, nga informatat zyrtare dihet që shumica e tyre janë kthyer sepse ka qenë migrim ilegal për dallim prej asaj që sot po ndodh më shumë që quhet migrim legal”, tha Krasniqi.

Migrimi për kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, po ndodh për shkak të arsyeve të forta ekonomike. 

“Neve na ka ikur paraja, e kur ikë paraja, ikin njerëzit. Me këtë deficit tregtar ne po zbrazemi nga paraja e më pas edhe nga njerëzit”, tha Kurti.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka vlerësuar se migrimi është bërë pothuajse një vendim kolektiv nga qytetarët, gjë e cila nuk mund të ndalet me një rezolutë.

Në këtë seancë nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili pas mbledhjes së Qeverisë tha se është mirë që Kuvendi po diskuton për këtë çështje. Haradinaj tha se çdo rekomandim që del nga Kuvendi do ta shqyrtojnë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın